Shkup, kryeparlamentari turk merr pjesë në simpoziumin me rastin e 21 Dhjetorit

Me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut, në Shkup u hap simpoziumi “Vlerat e humbura të kulturës turke në Ballkan dhe Evropën Lindore”.

Simpoziumi është organizuar nga Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATUSITEB), ndërsa është mbështetur nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe nga Instituti Yunus Emre.

Në hapjen e simpoziumit morën pjesë kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Sali Murat, ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, kryetari i MATUSITEB-it, Hüsrev Emin, si dhe deputetë, profesorë, përfaqësues të partive politike turke dhe të shoqatave joqeveritare.

Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Şentop, përcolli përshëndetjet e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe shprehu kënaqësi për vizitën në Maqedoninë e Veriut, siç tha ai, si pjesëtar i një familjeje që në vitin 1926 ka migruar në Turqi nga ky vend.

“Ky simpozium mbahet për të diskutuar një temë shumë të rëndësishme. Unë besoj se do të zhvillohen bisedime efikase dhe do të arrihen rezultate të rëndësishme. I uroj të gjithë pjesëmarrësve dhe audiencës një takim të suksesshëm”, tha Şentop.

Duke theksuar se një nga problemet më themelore intelektuale të epokës është mospërshtatja e koncepteve dhe duke u ndalur në konceptin e kulturës, Şentop se “kultura është edhe statike, edhe e ndryshueshme; ka një cilësi që formon shoqërinë dhe formohet nga shoqëria”.

Ai tha se gjuha është ndër institucionet që ndërtojnë kulturën dhe shtoi se një tipar i gjuhës është se ajo ka një funksion që të ndërtojë kulturën dhe ta përçojë atë te gjeneratat e ardhshme.

Siç tha ai, një mendimtar thekson se njerëzit njëkohësisht janë pjesëtarë të një gjeografie të caktuar dhe pjesëtarë të një epoke.

“Ne jemi pjesëtarë të Turqisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë apo Bullgarisë; por njëkohësisht jemi gjithashtu pjesëtarë të epokës moderne, epokës globale në të cilën jetojmë. Këtu duhet ta vlerësojmë kulturën, parimet dhe përparësitë që ne i quajmë vlera kulturore nga këto dy aspekte”, tha Şentop.

Duke folur për kuzhinën turke si pjesë e kulturës, ai tha se pasuria e kësaj kuzhine nuk buron nga dhënia pas ushqimit, por nga bujaria dhe mikpritja, si dhe nga vullneti dhe qëllimi i mirë për të pasur kontakte me kultura të ndryshme.

Ai tha se botëkuptimi modern është shndërruar në një situatë në të cilën ai ndan bashkësinë, familjen dhe e vë njeriun në konkurrencë të pamëshirhshme për qëllimet e veta, duke shtuar se ky botëkuptim egocentrik e shtyen njeriun drejt një vetmie tragjike dhe të thellë.

Sipas tij, problemi kryesor me të cilin përballet jo vetëm shoqëria turke, por të gjitha shoqëritë, janë vandalizmi, indiferenca dhe armiqësia ndaj tjetrit.

“Kjo situatë, rritjen e së cilës e kemi dëshmuar me shqetësim viteve të fundit, është shkaktari kryesor i ksenofobisë, islamofobisë dhe në disa situata, i armiqësisë kundër Turqisë”, potencoi kryeparlamentari turk.

Şentop u shpreh se këto troje, ku në 150 vitet e fundit janë përjetuar dhimbje dhe tragjedi të përgjakshme, mundet dhe është e nevojshme të sillet sërish paqja.

“Përpjekja më e madhe në këtë drejtim bie mbi supet e njerëzve në Maqedoninë e Veriut, ku njerëz me kombësi të ndryshme jetojnë në paqe. Komuniteti turk duhet të jetë pionier dhe konstruktiv në këtë drejtim”, deklaroi kryetari i kuvendit turk, Mustafa Şentop.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, kryetari i Kuvendi të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, uroi 21 Dhjetorin, Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së simpoziumit.

“Kisha dashur të shfrytëzoj këtë rast dhe juve koleg i nderuar , mirëpo edhe të gjithë të pranishmëve dhe bashkëqytetarëve pjesëtarë të bashkësisë turke, t’ju uroj 21 Dhjetorin, Ditën e Mësimit në Gjuhën Turke në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që që është pjesë e festave të përcaktuara me Ligjin për Festat në Republikën e Maqedonisë së Veriut e me të cilin tregohet respekt ndaj të gjitha bashkësive që janë pjesë e pandashme e indit shoqëror të vendit”, tha Xhaferi.

Ai rikujtoi se Turqia ka dhënë mbështetje për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, duke falënderuar homologun turk Şentop për miratimin e Protokollit për anëtarësim në parlamentin turk. Xhaferi gjithashtu tha se lidhjet miqësore dhe familjare mes qytetarëve të dy vendeve janë shembull për të gjitha vendet e rajonit.

Duke uruar 21 Dhjetorin, Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke, kryetari i MATUSITEB-it, Hüsrev Emin, uroi mbarëvajtjen e simpoziumit. Ai tha se rreth 20 turkologë nga 13 shtete do të marrin pjesë në simpozium.

“Shpresojmë që këto aktivitete për shënimin e kësaj dite të rëndësishme, do të kontribuojnë që çdo vit të shënojmë në mënyrë më të bukur këto evenimente. Me këtë dëshirë, ua uroj 21 Dhjetorin, Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke”, tha Emin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi