Shkup, konferencë ndërkombëtare për arsim më cilësor

Duke filluar nga sot e deri të mërkurën në Shkup do të mbahet Konferenca Ndërkombëtare e titulluar “Arsim cilësor për zhvillim, rezultate për të ardhme më të mirë”.

Konferenca tre ditore ka për qëllim hapjen e debatit publik rreth gjetjes së mënyrës më të mirë për përshpejtimin e reformave në sistemin arsimor dhe për përmirësimin e cilësisë së arsimit që të zvogëlohet hendeku midis shtetit dhe sistemit të suksesshëm arsimor.

Konferencën e hapi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili tha se një nga prioritetet e Qeverisë është krijimi i një sistemi të qëndrueshëm arsimor në vend. Ai theksoi se nëse shteti përkushtohet në nxjerrjen e stafit profesional dhe të arsimuar nga moshat e hershme, ata mund të gjejnë vendin në tregun e punës.

“Dituria është çelësi për portat e jetës dhe kjo përvojë në botë është forcë motivuese për shtetet që të investojnë në politikat e tyre arsimore. Qeveria e re e Maqedonisë është përcaktuar për zgjidhjen e qëndrueshme të sistemit arsimor në të cilin deri më tani është eksperimentuar mjaft, kurse nga kjo më së shumti pësuan fëmijët, nxënësit, studentët, mbajtësit e të ardhmes së vendit. Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Arsimit filloi rishikimin e plan-programeve mësimore dhe gjithashtu ka filluar edhe procesin e rishikimit të teksteve shkollore si dhe ndryshimin e ligjeve që kanë të bëjnë me arsimin”, tha Zaev.

Përfaqësuesi i UNICEF-it, Benjamin Perks, para të pranishmëve tha se pavarësisht se nga vijnë fëmijët, të pasur apo të varfër, atyre duhet t’u mundësohet arsimim me të njëjtën cilësi dhe të maten në raport me të njëjtat standarde.

“Sot në vend, shumica e më të varfërve, 50 për qind e fëmijëve të moshës 3-6 vjeçare nuk shkojnë në kopshte. Kjo krijon një cikël mes gjeneratave të varfërisë. Prandaj e përshëndesim përkushtimin e Qeverisë për të zgjeruar arsimin parashkollor në rajonet më të varfra dhe rurale të vendit, për të siguruar tre orë falas të edukimit parashkollor në ditë dhe të përparojë drejt qasjes universale në arsim në përputhje me qëllimet e BE-së dhe qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm. Ne do të qëndrojmë krah për krah me ju në realizimin e këtij qëllimi”, tha Perks.

Në konferencë të pranishëm ishin rreth 500 pjesëmarrës të cilët do të kenë rastin të dëgjojnë ekspertët ndërkombëtarë të arsimit, udhëheqës të njohur dhe aktivistë të sistemeve cilësore, efikase dhe të të barabarta arsimore.

Ekspertët nga Sllovenia, Kroacia, Shqipëria dhe Serbia, vende këto të cilat me sukses punojnë drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit do ndajnë përvojat praktike të rajonit.

Aktualisht, vetëm një në katër fëmijë në vend ndjek arsimin fillor (28 për qind) dhe vetëm 4.7 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara ndjekin arsimin parashkollor.

Paralelisht me konferencën dyditore, do të përfshihen ekipet e ekspertëve të rinj, për treguar fushat e reja inovative që do të përmirësojnë cilësinë dhe përfshirjen e arsimit. Ekipet do të paraqesin ide dhe zgjidhje inovative në ditën e fundit të konferencës si një sfidë ndaj paradigmave tradicionale të arsimit dhe do të paraqesin mundësi të reja teknologjike dhe praktika inovative për të avancuar arsimin modern.

Ngjarja është organizuar nën përkujdesin e Qeverisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale së bashku me UNICEF-in./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi