“Shkëmbimi i territoreve nuk është zgjidhje për normalizimin Kosovë-Serbi”

Gati njëzet vite pas luftës, liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë shpalosur mundësi për ndryshim të kufijve si rrugë për zgjidhjen përfundimtare mes dy vendeve. Debati i fundit rreth një demarkimi të mundshëm të kufijve aktualë lindi pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçic, kanë thënë se mund të konsiderojnë një gjë të tillë si një rrugëdalje diplomatike në dialogun mes dy vendeve.

Për arritje të një zgjidhjeje përfundimtare dhe njohjen reciproke mes dy vendeve dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, presidenti Thaçi ka thënë se askush nuk do ta kundërshtonte një gjë të tillë nëse do të kishte marrëveshje të dyanshme në kuadër të dialogut, duke inistuar se bëhet fjalë për “korrigjim” të kufirit dhe jo shkëmbim territoresh.

“Jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve, po bashkim të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mënyrë paqësore”, ishte shprehur Thaçi në llogarinë e tij në median sociale.

Megjithatë, ideja për një ndryshim të tillë ka hasur në kundërshtime si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, duke përfshirë edhe kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili e ka cilësuar si të papranueshme hapjen e çështjes së kufijve.

Analistë nga Kosova në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) thonë se shkëmbimi i territorit midis Kosovës dhe Serbisë nuk është opsion real dhe nuk do të zgjidhte kontestet shqiptaro-serbe.

Politologu Belul Beqaj vlerëson se shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë opsion real vetëm nëse një zgjidhje e tillë mbështetet nga faktorët e mëdhenj ndërkombëtarë.

“Shkëmbimi i territoreve mund të jetë opsion real vetëm nën supozimet se faktorët kryesorë ndërkombëtarë dakordohen, pra SHBA, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe ndoshta Bashkimi Evropian. Nëse nuk ka një pëlqim të tillë apo një qëndrim unik rreth kësaj çështjeje, unë nuk besoj se ky është opsion real”, thotë Beqaj në një bisedë me AA.

Beqaj mendon se alternativa e shkëmbimit të territoreve si rrugë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe në këtë konstelacion, është e pamundur dhe shumë problematike për disa arsye.

“Së pari, kjo do të luhaste edhe marrëdhëniet e vendeve të tjera dhe kjo mund të jetë një nga arsyet e shkaktimit të një orteku të efektit domino me kërkesat e komuniteteve të tjera, të cilat pak a shumë do të kërkojnë zgjidhje të ngjashme”, vlerëson Beqaj.

Sipas tij, është normale të pritet një zgjidhje paqësore për çështjen e Kosovës, e cila do të sigurojë maksimumin e të drejtave të pakicës shqiptare në Serbi dhe të drejtat e minoriteteve, serbëve dhe të tjerëve në Kosovë, por në vend të të drejtave të pakicave, siç thotë ai, lidershipi i Kosovës dhe Serbisë në mendje kanë territoret.

Ndërkaq, politologu Ramush Tahiri konsideron se ndërrimi i territoreve nuk është një opsion real, për shkak se Kosova është një shtet qytetar dhe për faktin se komuniteti ndërkombëtar ka mbështetur Kosovën pikërisht si shtet qytetar, dhe jo si shtet-komb.

“Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohen bisedime teknike në Bruksel dhe bisedimet teknike duhet t’i afrohen fundit, duke zgjidhur të gjitha çështjet që konsiderohen të jenë në interes të qytetarëve dhe të vendit. Kurse dialogu politik përmes takimeve në nivelin e dy presidentëve nuk është i mundur, sepse as Serbia, as Kosova nuk kanë një platformë. Kuvendi i Kosovës ka autorizuar vetëm Qeverinë të bisedojë me Serbinë, edhe atë vetëm për çështje teknike”, tha Tahiri për AA.

Duke pasur parasysh se të dy presidentët kanë përmendur referendumin si mundësi në të cilën qytetarët do të përcaktoheshin për përmbylljen e marrëveshjeve mes Beogradit dhe Prishtinës, Tahiri thotë se Kosova sipas Kushtetutës nuk ka të drejtë për referendum, sepse bashkësia ndërkombëtare ka frikë se shqiptarët si popullatë shumicë në Kosovë mund që përmes tij të vendosin të bashkohen me Shqipërinë.

Tahiri vlerëson se zgjidhja më e mirë është që komunitetet që mbeten jashtë vendeve të tyre amë të kenë të gjitha të drejtat, jo vetëm mbi bazë reciproke, por edhe në bazë të Konventës Evropiane dhe Kartës së Vetëqeverisjes Lokale.

“Kur po rrënohej ish-Jugosllavia, komisioni i Badinterit nuk u udhëhoq nga parimet etnike gjatë përcaktimit të kufijve, por vendosi që kufijtë shtetërorë të jenë kufij administrativ-republikanë të ish-njësive federale. Kjo është zbatuar 100 për qind kudo, si në Bosnjë dhe Hercegovinë, Slloveni, Kroaci, Mal të Zi, dhe kjo duhet të respektohet edhe në Kosovë”, thotë Tahiri.

Ai thekson se nuk ka një formulë, se korrigjimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë precedent dhe se një gjë të tillë do ta shfrytëzonin edhe vendet e tjera, sepse çdo vend vendos për përgjegjësinë e vet, por, sipas tij, shtetet kombe nuk janë më opsion sepse vetë shteti komb në vete nuk përmban kurrfarë vlere.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi