21.5 C
Tirana

Shehu: 159 auditime, 4378 rekomandime dhe 13 kallëzime penale nga KLSH në vitin 2024

Më datë:

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, raportoi sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Punës dhe Financave mbi veprimtarinë audituese të institucionit për vitin 2024.

Sipas Shehut, KLSH ka realizuar gjithsej 159 misione auditimi në institucionet publike, që përfshijnë auditime financiare, përputhshmërie, performance, të sistemeve IT, të kombinuara, tematike dhe verifikuese.

Shehu bëri të ditur se u zhvilluan 45 auditime financiare, 43 përputhshmërie, 35 të kombinuara, 15 performance, 8 IT dhe 13 për zbatimin e rekomandimeve, duke mbuluar 205 subjekte publike, përfshirë 97 të qeverisjes qendrore, 75 të vetëqeverisjes vendore, 13 institucione të pavarura dhe 20 shoqëri publike me shumicë shtetërore.

“Në përfundim të auditimeve janë dhënë 194 opinione dhe konkluzione, përfshirë 80 financiare, 78 përputhshmërie, 15 performance, 8 IT dhe 13 për zbatimin e rekomandimeve. Në 29 raste është dhënë opinion i pamodifikuar, në 7 raste opinion i kundërt për shkak të shkeljeve materiale e të përhapura, ndërsa pjesa tjetër janë opinione të kualifikuara”, theksoi ai.

Auditimet, shpjegoi Shehu, janë shoqëruar me 4378 rekomandime, përfshirë 2594 masa organizative, 28 përmirësime ligjore, 1059 masa disiplinore e administrative, 184 masa me dëm ekonomik dhe 513 për adresimin e parregullsive me efekt financiar negativ.

Nga verifikimi i zbatimit të rekomandimeve të auditimeve të vitit 2023, Shehu tha se rezultoi se rreth 70% e tyre janë zbatuar plotësisht, pjesërisht ose janë në proces, ndërsa niveli i pranueshmërisë mbetet 99%.

Sipas tij, në bashkitë e audituara u konstatuan prona të paregjistruara, asete pa certifikata pronësie, mungesë harmonizimi të të dhënave kontabël me sistemin e Thesarit dhe shkelje të parimeve të kontabilitetit publik në regjistrimin e detyrimeve.

Auditimet e përputhshmërisë nxorën në pah mosrespektim të kuadrit ligjor në prokurime, menaxhimin buxhetor dhe raportimin fiskal.

KLSH, sipas Shehut, evidentoi shkelje në administrimin e kontratave koncesionare e PPP, me pagesa për shërbime të pakryera dhe angazhime pa fonde në vlerë 6,7 miliardë lekë, ndërsa detyrimet e akumuluara të ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve arritën në 30,9 miliardë lekë dhe stoku i detyrimeve të prapambetura në 8,1 miliardë lekë.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, vijoi Shehu, u konstatua stok borxhi doganor prej 47,6 miliardë lekësh, me rikuperim vetëm 1,2% gjatë vitit, dhe dobësi në kontrollin ndaj kontrabandës, çka solli opinion të kualifikuar.

Në Administratën Tatimore, shtoi ai, stoku i borxhit tatimor arriti në 155,2 miliardë lekë për mbi 181 mijë tatimpagues, me shtesë vjetore prej 40 miliardë lekësh dhe 2,35 miliardë jashtë sistemit elektronik.

Sipas Shehut, nga 2982 kontrolle të planifikuara, 109 nuk u realizuan, për shkak të mungesës së koordinimit mes strukturave përkatëse.

“Auditimet evidentuan gjithashtu parregullsi në prokurime publike, kufizim të konkurrencës, procedura me një operator të vetëm, vonesa në zbatimin e kontratave dhe pagesa për punime të papërfunduara”, deklaroi Shehu.

Në fushën e administrimit të burimeve njerëzore, vuri në dukje ai, u konstatuan largime të padrejta nga puna dhe vendimmarrje pa dokumentacion mbështetës, që kanë shkaktuar kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Gjatë vitit 2024, KLSH, tha Shehu, ka referuar 13 kallëzime penale dhe ka përcjellë 35 materiale të tjera informuese për çështje që kërkojnë hetim të mëtejshëm nga organet e drejtësisë.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Shqipëria drejt BE-së, KPSA vlerëson reformat dhe angazhimin parlamentar

 Bashkëkryetarët e takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të...

Debora e parë në Alpet e Zvicrës

Në zemër të Alpeve zvicerane, dimri ka trokitur për...

Berisha: Korrupsioni është pesëfishuar

Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, akuzoi SPAK-un...

Deputetë të opozitës kërkojnë shkarkimin e Peleshit

Këshilli për Legjislacionin ka publikuar sot, 29 tetor, raportin...