Shefja e misionit të FMN-së në Shqipëri, Anke Weber tha sot, 14 nëntor, se rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë që të vetëpunësuarit në vend të tatohen mbi bazën e të ardhurave personale, të hiqet taksa zero për bizneset e vogla dhe të modernizohet sistemi i TVSH-së. Kjo e fundit, sipas saj, duke reduktuar trajtimin preferencial dhe duke qenë në harmonizim me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Ndërsa, ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se “paketa fiskale e vitit 2026 nuk parashikon rritjen të taksave apo rritje të normës tatimore”.
“Do të rishikohen normat tatimore për 2 vjet, që janë të reduktuara ose janë të përjashtuara, që duhen të përafrohen me kërkesat e BE-së”, tha Malaj në Konferencën për Mbylljen e Misionit të FMN-së.
Po reforma e pensioneve, pse u vendos për një dhënie bonusi mujor dhe jo rritje direkte?
“Në lidhje me pensionet, siç kemi deklaruar vjet, Shqipëria po ristrukturon të gjithë skemën që të bëhet më e qëndrueshme për të garantuar pensione më të larta. Nga ana tjetër, kemi menduar të vijohet me skemën e bonuseve, një e ardhur shtesë mbi pensionet. Është vlerësuar që e ardhura shtesë të jetë në linjë me kontributin e këtyre pensionistëve”, u përgjigj ministri.
Më herët, Weber deklaroi se “Shqipëria vazhdon të shquhet si një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në Europë”
“Sektori bankar mbetet likuid, norma e papunësisë në nievel të ulëta historike. Trysnia fiskale mund të gërryejë hapësirat fiskale nëse nuk trajtohet. Pjesa e valutës dhe huadhënies bankare duhet të menaxhohen me kujdes. Po ashtu thelbësor është bashkëpunimi mes institucioneve. Duhen reforma gjithëpërfshirëse në kapitalin njerëzor dhe në rregullat e biznesit. Ne në FMN mbetemi thellësisht të përkushtuar të mbështesim Shqipërinë në këtë rrugëtim. Në këtë kontekst, FMN planifikon një vlerësim të stabilitetit financiar në përputhje me procedurat në fuqi”, u shpreh Weber.


