Shefi i CIA-s takon kryeministrin Kurti

Më datë:

Shefi i Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka hyrë në ndërtesën e qeverisë së Kosovës për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Një ditë më herët, Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Rreth takimeve të së enjtes nuk është deklaruar askush nga palët.

Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat që zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane zhvilloi në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.

Në Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq, Zhelko Komshiq dhe Zhelka Cvijanoviqit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja.

Nga qeveria amerikane i thanë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimeve në Sarajevë “ata diskutuan për çështje me interes të përbashkët, të cilat përfshijnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës”.

Gjatë vizitës, sipas zyrtarit amerikan, Burns diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Millorad Dodikut, presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Një ditë më vonë, Dodik deklaroi se “nuk e kam kundërshtuar kurrë” sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shkëputja “nuk ka qenë kurrë politikë e jona”.

Sa i përket vizitës në Beograd, nuk dihet se me kë është takuar Burns.

Vizita e Burnsit në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

SHBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit i ka kërkuar qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke shprehur shqetësime për sigurinë. /REL/

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

“UNHERD” – Edi Rama: Protestat tregojnë një Shqipëri normale evropiane

Kryeministri Edi Rama i tha gazetarit të  medias britanike...

Alimehmeti: Qeveria, tender të ri 50 milionë euro për dializën

Drejtuesi i departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, Ilir...

Shkodër, arrestohen dy persona që transportonin mijëra fidanë kanabisi

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Kutitë”,...

Osmani akuzon Kurtin: Vetëvendosja kërkon një president pa qëndrime

Ish-presidentja Vjosa Osmani ka folur për takimet që ajo...