SHBA thellësisht e shqetësuar për sulmet me armë kimike në Siri

Autoritetet e SHBA-së kanë shprehur shqetësim të thellë mbi raportet e shpeshta të përdorimit të armëve kimike në sulmet e kryera në Siri nga forcat besnike të regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

“SHBA-të janë thellësisht të shqetësuara për shpeshtimin e raportimit për përdorimin e gazit klorin në sulmet e forcave të regjimit sirian mbi civilët e pafajashëm. Kësaj radhe raportimet vijnë nga Saraqib pranë Idlibit”, thuhet në kumtesën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Duke vënë në dukje se ky është sulmi i gjashtë i tillë në Siri gjatë 30 ditëve të fundit, Departamenti i Shtetit i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndalojë përdorimin e armëve të paligjshme në atë vend.

“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë në mënyrë unike dhe të shfrytëzojë çdo mundësi për të bërë presion ndaj regjimit të Asadit dhe aleatëve të saj për të ndaluar përdorimin e armëve të ndaluara dhe përgjegjësit të ndiqen penalisht”, thuhet në reagimin e Washingtonit.

Departamenti i Shtetit ka akuzuar Rusinë se është përgjegjës për incidentet në Siri, veçanërisht ato në Gutën Lindore pranë Damaskut. Washingtoni zyrtar akuzon Moskën se nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna dhe nuk ka ndikuar ndaj regjimit të Asadit.

Idlibi ndodhet në veri të Sirisë pranë kufirit turko-sirian dhe është një nga katër rajonet, të cilat në maj të vitit të kaluar në procesin e paqes në Astana u shpallën zona të deeskalimit.

Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit, forcat e regjimit të Asadit intensifikuan sulmet ndaj zonave në Idlib që janë nën kontrollin e opozitës siriane./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi