Prokuroria e Sarandës, sekuestroi pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro, të dyshuara si të përfituara nga të ardhura të paligjshme.
Policia e Shtetit bën të ditur se specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë Vlorë kanë evidentuar 2 raste, dhe pas regjistrimit të procedimeve penale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kanë nisur hetime ndaj shtetasit me K. Q., alias J. H., 43 vjeç si dhe ndaj shtetasit A. K., 53 vjeç që të dy banues në Sarandë, me precedentë kriminalë në fushën e narkotikëve të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, vendim i lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit, ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e 43-vjeçarit, një hotel 6-katësh, me 37 dhoma, sipërfaqe ndërtimi 248 m² për kat + garazh 440 m², në Sarandë dhe një hotel 4-katësh, me 15 dhoma + lokal, sipërfaqe ndërtimi 160 m² + 80 m².
Ndërsa 53-vjeçarit iu sekuestruan në Sarandë, lokal shërbimi 103 m² dhe pasuri 123.1 m², në Tiranë apartament 78.4 m², parcelë ndërtimi 60.12 m², dyqan 103 m² dhe arë 800 m², në Rradhimë pasuri 36 m², pasuri 485 m² dhe pasuri 619 m², në Memaliaj pasuri 386 m², truall 650 m² dhe një pasuri tjetër si dhe pasuri të luajtshme: 1 mjet lundrues, 4 automjete dhe 12 llogari bankare.
Nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë vijon puna për identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve të tjera që mund të jenë regjistruar në emër të personave të tjerë, nga këta shtetas ose familjarët e tyre.


