“S-400 nuk është një çështje e NATO-s”

Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në NATO ambasadori Basat Öztürk, në lidhje me sistemin e mbrojtjes ajrore S-400, tha se kjo nuk është çështje e NATO-s, por se është një çështje dypalëshe.

Öztürk në një intervistë për Anadolu Agency (AA), tërhoqi vëmendjen në atë se tipari kryesor i NATO-s është aftësia e saj për t’u përshtatur me kërkesat aktuale të sigurisë që nga formimi, duke shtuar se aleanca ka mbijetuar në këtë mënyrë dhe do të vazhdojë të mbijetojë përderisa e mbron këtë tipar.

Öztürk potencoi se veçanërisht nga viti 2014, me aneksimin jashtëligjor të Krimesë nga Rusia, kriza që po vazhdon në Siri, problemet në Libi dhe Gjirin Persik, si dhe problemet e tjera në nivel global, kanë shkaktuar që mjedisi i sigurisë dhe mbrojtjes euroatlantike të ndryshojë në masë të madhe.

– “Turqia është pjestare e NATO-s”

Ai theksoi se Turqia është “anëtare e plotë” e NATO-s. “Turqia është pjestare e NATO-s. Çfarëdo që do të bëhet në NATO, të gjithë aleatët duhet të arrijnë konsensus”, u shpreh ai.

“NATO është duke siguruar mbështetje për sigurinë e vendit tonë me anë të masave të sigurimit të përshtatura për Turqinë si dhe duke përforcuar mbrojtjen tonë ajrore”, tha Öztürk ndër të tjera, duke shtuar se në këtë drejtim zhvillohen patrulla nga avionët e mbikëqyrjes AWACS.

Öztürk gjithashtu potencoi se aleatët me sistemin e rotacionit janë duke vazhduar misionin e përforcimit ajror dhe raketor të Turqisë që nga viti 2013 pandërprerë. Ai tha se ende sistemet spanjolle Patriot dhe italiane SAMP-T gjenden në Turqi.

“S-400 nuk është një çështje e NATO-s”

Në lidhje me vendimin e Turqisë për t’u furnizuar me sitsemin e mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia, Öztürk rikujtoi fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se aleatët janë të lirë për blerjen e cilësdo armë, por është e rëndësishme që këto armë të mund të punojnë bashkë me forcat e armatosura.

“Çështja e S-400, duke u nxjerrë jashtë kontekstit nga disa qarqe në SHBA, u shndërrua në një problem më të madh bilateral. Në këtë drejtim, përgjegjësia e SHBA-së është e madhe”, theksoi ai.

Ai bëri të ditur se shqetësimet e SHBA-së në fillim kanë qenë se vallë sistemi S-400 do të mund të punojë bashkë me pajisjet ushtarake, duke treguar se Turqia ka shpjeguar se S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s, me ç’rast nuk do të ketë ndonjë problem.

Öztürk thotë se SHBA në periudhën e fundit çështjes i shton dimensione të reja duke e politizuar atë dhe se e ndërlidh me furnizimin e avionëve luftarakë F-35, ndërsa shton se Turqia që nga fillimi i projektit të F-35 ka qenë pjesë e tij, ku përveç investimeve të rëndësishme, ka zhvilluar edhe prodhimin e shumë pjesëve të këtyre avionëve.

Ai rikujtoi edhe sugjerimin e Turqisë në lidhje me krijimin e një grupi të përbashkët punues, për të cilin SHBA nuk ka shprehur interes.

“Normalisht, S-400 nuk është një çështje e NATO-s, por është çështje bilaterale. Do të ishte gabim që SHBA ta përfshijë këtë çështje në NATO dhe ta prishë koherencën e aleancës”, u shpreh Öztürk.

“SHBA duhet të veprojë në përputhje me frymën e aleancës”

“As Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, as ndonjë aleat, nuk dëshiron një mjedis të vendosjes së sanksioneve dhe prishjes së marrëdhënieve midis aleatëve. Përgjegjësia esenciale këtu bie mbi SHBA-në. Pritjet janë që SHBA të veprojë në përputhje me frymën e aleancës, në harmoni me vlerat e përbashkëta të NATO-s dhe në solidaritet dhe unitet”, shprehet Öztürk.

Ai thekson se Turqia dhe SHBA kanë interesa të përbashkëta dhe se Turqia nuk është vetëm shteti me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, por edhe vend me kontribute të rëndësishme në misionet, operacionet dhe aktivitetet e aleances.

Takimi i ministrave të mbrojtjes të NATO-s

Öztürk theksoi se në takimin e ministrave të mbrojtjes të shteteve të NATO-s që do të mbahet më 26-27 qershor do të diskutohen tema të ndryshme, siç është edhe e ardhmja e Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF).

Sipas tij, kjo marrëveshje ka rëndësi të madhe për moslindjen e problemeve shtesë për sigurinë dhe mbrojtjen në Evropë dhe shkaktimin e një gare të re të armëve.

Në agjendën e takimit do të jetë edhe çështja e strukturës së parandalimit dhe mbrojtjes, ndarja e barrës, gjendja në Afganistan dhe teknologjitë e reja, tha Öztürk.

Ndërkaq, shtoi ai, pas seancës së ministrave të mbrojtjes, në selinë e NATO-s në Bruksel do të organizohet edhe takimi i koalcionit ndërkombëtar kundër DEASH-it, ku do të bisedohet lidhur me zhvillimet e fundit në Siri dhe Irak.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi