Rusia dënon vendimin e Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Ryabkov dënon deklaratën e presidentit të SHBA-ve Donald Trump i cili tha se shteti i tij do të tërhiqet nga Marrëveshja për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme.

Ryabkov në një deklaratë për agjencinë ruse të lajmeve TASS tha se kanë nevojë për kohë për të vlerësuar gjendjen në lidhje me deklaratën e presidentit Trump.

Ai tha se vendimet e tilla nuk duhet të merren me “shpërthime emocionale”. “Për mbrojtjen e stabilitetit strategjik, dënojmë iniciativat që vazhdojnë me metoda të shantazhimit në mënyrë që Rusia të bëjë lëshime për një çështje të rëndësishme për sigurinë, në fushën e sigurisë ndërkombëtare dhe të armëve bërthamore”, tha Ryabkov.

Sipas tij, disa fuqi në Washington po e shtypin qeverinë e shtetit për ta çuar atë në një vendim për tërheqje në mënyrë zyrtare nga marrëveshja. “Kjo do të ishte një hap shumë i rrezikshëm”, thekson Ryabkov.

Zv/ministri rus thotë se presin nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve John Bolton i cili sot do të vizitojë Moskën, të dëgjojnë informacione konkrete në lidhje me çështjen.

Kujtojmë se presidenti Trump në lidhje me marrëveshjen për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme të nënshkruar me Rusinë ka deklaruar se “Ne ishim pala që mbetëm në marrëveshje dhe që e respektuam atë por Rusia për fat të keq nuk e respektoi këtë marrëveshje dhe për këtë arsye do të anulojmë dhe do të tërhiqemi nga marrëveshja”.

Marrëveshja për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme e cila ka për qëllim mbrojtjen e aleatëve në Evropë dhe në Lindjen e Largët u nënshkrua në vitin 1987 në Washington mes SHBA-ve dhe Rusisë.

Marrëveshja ndalon që Rusia dhe SHBA-të të blejnë, prodhojnë apo testojnë raketa me rreze 300-3400 milje që gjuhen nga toka. SHBA-të shpesh e akuzonin Rusinë për shkelje të kësaj marrëveshjeje./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi