Me të drejtë organet kopetente mbyllën trafikndarëset, që lidhnin rrugët anësore të fshatrave apo bizneseve me autostradën sepse përbënin rrezik për jetën e qytetarëve. Ju kujtojmë këtu aksidentin e Silva Negollarit, ku për pasojë dy fëmijët e saj humbën jetën.
Sipas informacioneve të policisë në qoftë se trafikndarëset do të kishin qenë të bashkuara aksidenti nuk do të kishtë pasur pasoja kaq tragjike. Por kjo nuk është arsye që e vetmja rrugë dytesore, që nxjerr çdo automjet në autostradën Durrës-Rrogozhinë të jetë në një situatë të tillë. Kjo rrugë është tërësisht e rrënuar sepse nuk është bërë asnjëherë vetëm është sajuar, qytetarët që kalojnë aty thonë se kjo situatë e tillë është prej kohësh dhe askush nuk ka marrë një masë për rregullimin e saj.
Mjaftojnë pak reshje shiu që kjo rrugë të bëhet e pakalueshme dhe shumë pak makina kanë fatin të hyjnë dhe të kalojnë në këtë aks rrugor. Ndërkohë me bindje mund të themi që shumë makina të tjera kanë tentuar të kalojnë, por kanë mbetur të zhytur në gropat e mëdhaja që janë krijuar dhe mbushur plot me ujë. Ky segment rrugor prej 500 metrash ka degraduar plotësisht dhe nuk ka asnjë justifikim për mos vënien dorë, sepse qytetarët janë taksapagues dhe nuk kërkojnë një situatë të tillë në rrugët ku kalojnë duke shkatërruar edhe automjetet e tyre. Trafikndarëset u vendosën për shmangien e aksidenteve apo jo?
Qytetarët edhe nga ky aks rrugor kanë mjaft pasoja negative dhe në qoftë se do të ishte dëshira për të mirën e qytetarëve do të vihej dorë. Përderisa nuk kemi një reagim na lind e drejta të mendojmë që trafikndarëset janë vendosur thjesht si pasojë e një presioni sipërfaqësor dhe për të shmagur verifikimet e mediave. /Drita Tv/