“Rreth gjysma e shkollave në botë nuk kanë ujë të pijshëm”

Pothuajse gjysma e shkollave në botë nuk ka ujë të pijshëm dhe kushte adekuate sanitare për miliona fëmijë të cilët janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme për shëndetin dhe jetën.

Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Fondacionit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF) publikuan një raport ku thuhet se rreth 900 milionë fëmijë në shkolla ballafaqohen me mungesën e kushteve elementare higjienike.

Përfaqësuesi i OBSH-së dhe udhëheqësi i projektit, Rick Johnston paralajmëroi se një program edukimi cilësor duhet të përfshijë gjithashtu kushtet adekuate të qëndrimit të fëmijëve në shkolla.

Ai gjithashtu paralajmëron se mungesa e ujit të pastër dhe kanalizimeve mund të shkaktojë dehidrim, sëmundje dhe madje edhe vdekje.

Pothuajse një e treta e shkollave fillore dhe të mesme nuk kanë furnizim të sigurt dhe cilësor të ujit të pijshëm. Raporti më tej citon se gati 20 për qind e shkollave nuk kanë ujë të pijshëm. Diç më shumë se një e treta e shkollave nuk kanë objekte adekuate sanitare dhe çdo e pesta shkollë fillore dhe çdo e teta shkollë e mesme nuk kanë objekte sanitare.

Çdo e dyta shkollë në botë nuk ka kushte të duhura për larjen e duarve, të cilat janë të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së infeksioneve dhe sëmundjeve. Situata më e keqe është në Afrikën sub-sahariane, Azinë lindore dhe juglindore.

Mirëpo, ekspertët janë optimistë dhe thonë se situata mund të përmirësohet me shpejtësi nëse udhëheqësit botërorë e vendosin si prioritet problemin e ujit dhe sanitarisë.

“Me vullnet politik është e mundur të ofrohen shërbime të mira”, tha Johnston./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi