Roma “shembet” përballë Napolit në “Olimpico”

Ndeshja më e rëndësishme për javën e 29 të Serie A, përpara mbrëmjes së kësaj të diele, ishte pikërisht ajo e zhvilluar në “Olimpico” të Romës mes verdhekuqve dhe napolitanëve.

Dy skuadra me objektiva krejt të ndryshme, me romanët që synonin zonën Champions pas hapit fals të Milanit, që u mund një ditë më parë nga Sampdoria, ndërsa Napoli me objektivin “pa objektiv”, thjesht t’ia shtyjë sa më shumë të mundet kurorëzimin Juventusit.

Megjithatë, kanë qenë të besuarit e Carlo Ancelottit, me në fushë edhe mbrojtësin e Kombëtares kuqezi Elseid Hysaj, ata që kanë gjetur shumë shpejt rrjetën, me anë të polakut Milik që në minutën e dytë.

Në një ndeshje me dyluftime të ashpra dhe disa të ndëshkuar, u duk se Roma e Ranierit nuk do të dorëzohej, teksa barazoi shifrat në ekstremin fundor të pjesës së parë, kur Perotti ktheu në gol tentativën e tij nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Por, ky gol thjesht sa “zgjoi” furinë napolitane, që në 45-minutëshin e dytë do të shënonte edhe 3 herë të tjera, me Mertens, Verdi dhe Younes, me dy të parët në 10 minutat e para të pjesës së dytë, ndërsa gjermani do të vuloste shifrat 9 minuta nga fundi i kohës së rregullt dhe vetëm pak pasi kishte hyrë si zëvendësues.

Edhe pse largoi Di Francescon dhe mori Ranierin, Roma e sheh tashmë veten në vendin e 6 të Serie A, me 47 pikë, e parakaluar në mesditë nga Atalanta e Berishës, që mposhti 3-1 Parmën në transfertë, e tashmë romanët rrezikohen të mbeten jashtë Europës nga rivalët e përjetshëm, Lazio, që do të ndeshen në mbrëmje me Interin në “San Siro”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi