Rohingya nuk është grupi i vetëm që vuan në Mianmar

Muslimanët Rohingya në veri të Mianmarit janë një nga grupet e shumta muslimane që persekutohen nga qeveria dhe ushtria e këtij vendi.

Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Rrjetit të të Drejtave të Njeriut i Birmanisë (BHRN), Kyaw Win, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se muslimanët Rohingya përbëjnë vetëm 30 për qind të popullsisë muslimane në Mianmar dhe se persekutimi i 70 përqindëshit tjetër nuk raportohet.

“Ajo që kuptojmë tani është se Rohingya-t vuajnë… gjenocid. Por, në të njëjtën kohë, 70 përqindëshi tjetër i popullsisë muslimane ballafaqohen me probleme serioze”, thotë Win.

Duke veçuar shtetësinë e mohuar si një nga problemet e tyre, Win thekson se, “Ata janë futur në një grup që është ‘gjak i përzier’. Duke qenë musliman nuk mund të jeni burmez. Vetëm një budist mund të jetë burmez. Pra, në momentin që ju thoni se jeni musliman, ju bëheni një grup i përzier gjaku”.

Win më tej thekson se muslimanët në Mianmar duhet të testojnë gjakun e tyre dhe pastaj detyrohen të nënshkruajnë një dokument që do t’i bëjë ata pa asnjë shtetësi. Ai tha se muslimanët në Mianmar nuk janë në gjendje të aplikojnë për pasaporta burmeze dhe zakonisht keqtrajtohen nga policia dhe shërbimet e inteligjencës për shkak të identitetit të tyre.

Populli Rohingya, sipas aktivistit të shquar, me të njëjtat probleme përballet që para 20 vitesh dhe komunitetet e tjera muslimane po përballen me një “prirje” të ngjashme që mund t’i çojë në një fat të ngjashëm.

“Nëse ne kemi dështuar me popullin Rohingya, kjo do të thotë se ne po dështojmë edhe me 70 përqindëshin tjetër”, thotë Win.

Komentet e drejtorit ekzektutiv të BHRN-së vijnë pas publikimit të një raporti të Kombeve të Bashkuara (OKB) më herët këtë javë, duke dokumentuar përdhunimet në masë, vrasjet, përfshirë fëmijët dhe foshnjat, rrahjet brutale dhe zhdukjet e kryera nga forcat shtetërore të Mianmarit. Në raportin e saj, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.

Misioni i Pavarur i Fakteve Ndërkombëtare të OKB-së në Mianmar ka bërë thirrje për gjykimin e zyrtarëve të lartë të Mianmarit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për kryerjen e gjenocidit kundër muslimanëve Rohingya, përfshirë këtu edhe komandantin në krye të ushtrisë, gjeneralin Min Aung Hlaing.

Win etiketon raportin e fundit të OKB-së për krizën Rohingya “të vendosur” dhe “të besueshëm” dhe thekson se është një kohë e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar që të mbështesë çështjen e muslimanëve Rohingya dhe minoriteteve të tjera në Mianmar, si dhe të sjellë autorët e këtij gjenocidi para drejtësisë.

Aung San Suu Kyi të japë dorëheqje ose të qëndrojë në këmbë ndaj gjenocidit 

Duke kritikuar heshtjen e këshilltares shtetërore të qeverisë, Aung San Suu Kyi, mbi “gjenocidin” në Mianmar, Win thotë se është “shumë e tmerrshme” për një person si ajo të mbrojë ushtrinë dhe shton se “ajo nuk duhet të marrë atë rrugë dhe ajo duhet të jetë e vetëdijshme për këtë”.

“Është për të ardhur keq që Suu Kyi ka argumentuar se ushtria nuk ka kryer ndonjë mizori kundër muslimanëve Rohingya kur ka prova të qarta se këto mizori kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin”, thekson Win.

Win po ashtu kritikon parandalimin e hetimeve të pavarura nga qeveria dhe ushtria në shtetin Rakhinë në veri të Mianmarit si dhe bllokimin e organizatave ndërkombëtare dhe organizatave të të drejtave të njeriut për të raportuar për spastrimin etnik dhe për të punuar me muslimanët Rohingya.

Siç thotë ai, Suu Kyi kishte fuqinë për të ndaluar gjenocidin që të ndodhte, por ajo kurrë nuk ngriti çështjen e mizorive që po kryhen kundër muslimanëve Rohingya.

“Ajo qëllimisht heshti. Kjo ishte një gabim shumë i madh. Ajo duhet të japë llogari për këtë”, shprehet Win, duke shtuar se Suu Kyi përshkroi tre gjeneralë që janë kriminelë lufte si “anëtarë të ëmbël të kabinetit tonë” gjatë një vizite në Singapor vitin e kaluar, gjë që sipas tij është “mjaft shqetësuese”.

Ai bëri thirrje që Suu Kyi të japë dorëheqje ose të qëndrojë në këmbë ndaj gjenocidit që po kryhet kundër muslimanëve Rohingya dhe t’i japë fund mizorive duke sjellë autorët e kryerjes së krimeve të luftës para drejtësisë.

Roli i Turqisë

Lidhur me rolin e Turqisë në reagimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj krizës Rohingya, Win thotë se ka “një rol shumë të rëndësishëm, historikisht, dhe tradicionalisht”.

Win thekson marrëdhëniet e forta mes muslimanëve turq dhe atyre burmezë dhe kujton një periudhë gjatë Luftës së Parë Botërore kur komuniteti musliman i Birmanisë rriti fondet për Sulltanin Otmona.

Ai thotë se Turqia dhe muslimanët burmezë e mbajnë këtë marrëdhënie historike dhe tradicionale edhe sot e kësaj dite, si dhe thekson se “ai është shumë mirënjohës ndaj qeverisë turke, popullit turk që vazhdimisht mbështet muslimanët Rohingya”.

“Jo shumë udhëheqës botëror kanë vizituar shtetin Rakhinë, por udhëheqësit turq e kanë vizituar dhe kjo është shumë inkurajuese”, shprehet Win.

Ai vë në dukje se Turqia duhet të angazhohet me organizatat muslimane dhe të ofrojë më shumë mbështetje për të rinjtë muslimanë të Mianmarit, të cilët siç thotë ai, vujanë nga papunësia, sepse ata janë muslimanë.

Ai po ashtu thekson se Turqia duhet të punojë me vendet fqinje si Malajzia dhe Indonezia për të formuar një aleancë dhe për të mbështetur muslimanët Rohingya dhe komunitetet e tjera muslimane për të parandaluar që këto mizori të ndodhin.

Win u bën thirrje vendeve muslimane që të mos përqendrohen vetëm në pakicat muslimane, por edhe në pakicat e tjera në Mianmar që përballen me persekutimin, siç janë krishterët Kachin dhe Karen, si dhe budistët Shan të cilët gjithashtu përballen me persekutimin rutinë nga qeveria.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit musliman të pakicës.

Populli Rohingya, i përshkruar nga OKB-ja si populli më i përndjekur në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmit, pasi dhjetra u vranë në dhunën komunale të vitit 2012./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi