Nga 22 janari 2026 hyn në fuqi ligji i ri për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, i cili u jep mundësi individëve dhe subjekteve juridike të deklarojnë pasuritë me vlerën aktuale të tregut, duke përfituar nga një normë tatimore e reduktuar prej 5%.
Ligji, i botuar në Fletoren Zyrtare, synon të formalizojë tregun e pasurive të paluajtshme dhe të lehtësojë qytetarët në përditësimin e vlerës së pronave të tyre. Afati për këtë proces është deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa procedurat për kërkesat e papërfunduara brenda këtij afati, do të mbyllen deri më 31 mars 2027.
Individët kanë dy alternativa për rivlerësimin e pasurive: përmes ekspertëve të licencuar të vlerësimit ose drejtpërdrejt pranë drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në rastet kur zgjidhen çmimet minimale fiskale. Në të dyja rastet, baza e tatimit llogaritet mbi diferencën ndërmjet vlerës së re dhe asaj të regjistruar më parë, për të cilën është paguar tatimi.
Për personat juridikë, rivlerësimi i pasurive me vlerë më të ulët se ajo e tregut reflektohet në pasqyrat financiare të vitit 2026, dhe për këtë diferencë paguhet tatimi 5%. Në rast të transferimit të pronës, tatimi mbi fitimin llogaritet mbi diferencën mes çmimit të shitjes dhe vlerës së rivlerësuar.
Ministri i Financave dhe drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës do të nxjerrin udhëzime të përbashkëta për procedurat e zbatimit, përllogaritjen e bazës së tatueshme, administrimin e kërkesave dhe pagesën e tatimit.
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe synon formalizimin e pronësisë dhe modernizimin e regjistrimeve të pasurive të paluajtshme në vend.


