Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës bëri të ditur se në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës.
Sipas KQZ-së, deri në orën 09:00 të ditës së sotme, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotime nga 105 sa i takojnë kësaj komune.
KQZ thotë se ky proces, planifikohet të përfundojë gjatë ditës së sotme.
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Mitrovica e Jugut të shkojë në rivotim, dy ditë pas përfundimit të balotazhit në këtë komunë. Në PDK thanë të martën se në Mitrovicën e Jugut është përdorur fenomeni i “trenit bullgar” dhe kësisoj është dëmtuar rëndë integriteti i procesit zgjedhor.
KQZ njofton po ashtu se një ditë më herët, të martën është përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në 17 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë, Viti, Prizren dhe Pejë.
Ndërkaq, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka filluar një ditë më parë. Sipas KQZ-së deri në orën 09:00 ditës së mërkurë, janë rinumëruar 10 vendvotime.


