Riatdhesimi i refugjatëve Rohingya ngrihet si shqetësim ndërkombëtar

Refugjatët Rohingya vazhdojnë të ikin nga persekutimi në Mianmar, por Bangladeshi është duke u përgatitur t’i kthejë ato, pavarësisht shqetësimit të thellë në mesin e komunitetit ndërkombëtar.

Kreu i Këshillit Evropian Rohingya (ERC), Hla Kyaw, në një prononcim, tha se refugjatët Rohingya që aktualisht po strehohen në Bangladesh “nuk duhen kurrë të kthehen në fushat e vrasjeve para se të garantohet siguria, mbrojtja dhe shtetësia e tyre”.

“Marrëveshja e riatdhesimit është një makth për të gjithë të mbijetuarit e gjenocidit të popullit Rohingya të cilët ikin në Bangladesh. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për këtë”, tha Kyaw.

Marrëveshja dypalëshe, e nënshktuar më 23 nëntor të vitit të kaluar, përcakton disa kushte pothuajse të pamundura për verifikimin e vendbanimit të njerëzve që marrëveshja i quan “persona të zhvendosur nga Mianmari” në vend të identitetit të tyre të njohur gjerësisht, populli Rohingya.

Megjithëse sot është afati i fundit i nisjes së riatdhesimit, procesi duket se do të marrë më shumë kohë, pasi shumë çështje ende duhet të finalizohen.

Grupet e të drejtave të njeriut, përfshirë Human Rights Watch, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë dhe Amnesty International, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me marrëveshjen, duke theksuar se ajo do të kthente refugjatët Rohingya në brutalitet në Mianmar.

Amnesty International e quajti planin si një “alarm të parakohshëm”, ndërsa Human Rights Watch u bëri thirrje të dy qeverive për të riformuluar marrëveshjen duke përfshirë Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugajtët.

Më herët këtë muaj, Bangladeshi dhe Mianmari përfunduan një marrëveshje mbi rregullimet fizike për riatdhesimin e refugjatëve Rohingya dhe u dakorduan që në fazën e parë të kthejnë 100 mijë refugjatë Rohingya në Mianmar.

Procesi do të marrë kohë me Mianmarin duke rënë dakord të pranojë 1.500 refugjatë në javë, me synimin e marrjes së mbi 700 mijë brenda dy viteve.

– “Duket se Bangladeshi po përpiqet t’i kthejë me forcë”

Refugjatët Rohingya së pari do të vendosen në një “kamp të përkohshëm” të kontrolluar nga Mianmari dhe më pas do të zhvendosen në një lokalitet.

“Ata duhet të kthehen në shtëpitë e tyre origjinale. Shtëpitë e tyre duhet të rindërtohen. Marrëveshja nuk ka adresuar asnjë të drejtë themelore të njeriut. Bangladeshi është duke u përpjekur t’i kthejë ata përsëri”, tha Kyaw, duke theksuar se shumica e fshatrave Rohingya ishin djegur.

Ai theksoi se njerëzit ende janë duke ikur nga rajoni, duke shtuar se “njerëzit janë duke u arrestuar në baza ditore”.

“Asnjë Rohingya nuk është i gatshëm të kthehet nëse siguria e tyre nuk është e garantuar për shkak se ata kanë qenë dëshmitarë të mizorive të kryera nga forcat e sigurisë së Mianmarit. Duket se Bangladeshi është duke u përpjekur t’i kthejë ato me forcë”, deklaroi Kyew.

Kyaw tha se një kthim i detyruar do të rezultojë në një fluks të ri refugjatësh brenda pak vitesh, duke u shprehur se “Ushtria e Mianmarit do të nis një operacion tjetër pas disa vitesh nëse komuniteti ndërkombëtar nuk merr masa konkrete kundër Mianmarit”.

– “Nëse nuk ofrohet siguri për Rohingya-t, ata do të kthehen përsëri në Bangladesh”

Koordinator i Njësisë së Kërkimit për Lëvizjet e Refugjatëve dhe Migracionit me bazë në Dhaka (RAMMRU), C.R. Abrar, i përsëriti shqetësimet e Kyaw-it, si dhe theksoi se qeveria e Bangladeshit është duke punuar për të siguruar disa aspekte të marrëveshjes.

“Duhet të zhvillohet një diskutim me refugjatët Rohingya. Duhet të merren parasysh shqetësimet e tyre. Mirëpo, siç e dini, qeveria e Bangladeshit ka shprehur poashtu shqetësimet e njëjta dhe i bëri thirrje Mianmarit që të ofrojë siguri për to dhe çështje të tjera”, tha Abrar.

Ai vuri në dukje se Dhaka është duke bërë një detyrë shumë të vështirë dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të angazhohet dhe të mbështesë procesin.

“Çështja e rëndësishme është të sigurojmë disa shkallë ndërkombëtare të të drejtave themelore të komunitetit Rohingya. Për këtë, komuniteti ndërkombëtar duhet të dalë para dhe të punojë në këtë çështje. Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e Bangladeshit. Komuniteti ndërkombëtar poashtu ka një përgjegjësi”, deklaroi Abrar.

Abrar poashtu vuri në dukje se riatdhesimi nuk mund të fillonte gjatë afatit përfundimtar, duke shtuar se procesi ka filluar, por se vonesa mund të ndodhin në çdo proces.

“Qeveria nuk duhet të nxitojë. Ata duhet të sigurojnë një mjedis ku njerëzit Rohingya mund të kthehen në dinjitet dhe çështje të tjera, duke përfshirë sqarimin e kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në një kamp të përkohshëm dhe monitorim ndërkombëtar. Nëse ata dërgohen pa i bërë të gjitha këto gjëra, ata nuk mund të qëndrojnë atje, ata do të vijnë përsëri në Bangladesh, siç ndodhi në vitet 1991-1992”, deklaroi Abrar.

Ministri i Jashtëm i Bangladeshit, A.H. Mahmood Ali, të dielën në Dhaka deklaroi se “ka bërë përpjekjet më të mira për të siguruar që marrëveshjet të lehtësojnë kthimin e sigurt, vullnetar, dinjitoz dhe të qëndrueshëm”.

“Për të siguruar që kthimi është vullnetar, Bangladeshi ka përfshirë dispozita për përfshirjen e UNHCR-së dhe organizatave të tjera relevante ndërkomëbtare në të gjithë procesin e kthimit”, tha ai gjatë një brifingu me të dërguarit e huaj në Dhaka.

Ministri i Jashtëm poashtu përmendi se Bangladeshi u përpoq të krijonte hapësirë për aktorët ndërkombëtarë në çdo fazë të kthimit, rivendosjes dhe riintegrimit.

Ai nuk dha një afat specifik për fillimin e riatdhesimit fizikisht, por vetëm përmendi se procesi është duke vazhduar.

Populli Rohingya i përshkruar nga OKB-ja si komuniteti më të përndjekur në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmit, pasi dhjetëra u vranë në dhunën komunale në vitin 2012.

Sipas OKB-së, më shumë se 650 mijë refugjatë, kryesisht fëmijë dhe gra, kanë ikur nga Mianmari që nga 25 gushti i vitit 2017 kur forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman.

Sipas organizatës “Mjekët pa Kufij”, të paktën 9 mijë pjesëtarë Rohingya u vranë në shtetin Rakhine nga 25 gushti deri më 24 shtator.

Në një raport të botuar më 12 dhjetor të vitit 2017, organizata humanitare globale tha se vdekjet e 71.7 për qind ose 6.700 refugjatëve Rohingya ishin shkaktuar nga dhuna. Ato përfshijnë 740 fëmijë nën moshën 5 vjeçare.

OKB-ja ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të kryera nga personeli i sigurisë. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi