Reshjet në veri, prefektja e Shkodrës: Janë marrë të gjitha masat. Kreu i KESH: Një nga nivelet më të larta historike të prurjeve në kaskadë, ja situata në HEC-e

Prefektja e Shkodrës Majlinda Jubani ka folur nga Vau i Dejës për situatën nga reshjet në qark. Ajo tha se ka një rënie prej 2 cm të nivelit të ujit dhe se janë marrë të gjitha masat për t’iu ardhur në ndihmë banorëve.

“Sapo vij nga Oboti për të parë nivelin e ujërave. Nga nata e mbrëmshme kishim një rënie prej 2 cm të nivelit të ujit. Sipërfaqja e tokave të përmbytura fatkeqësisht është shtuar dhe kjo si pasojë e ujërave të mbrëmshme dhe sidomos ndërhyrjes së Gjadrit në lumin Drin. Situata në liqenin e Shkodrës kishte rënie dhe këto erërat po shpresojmë që të ndikojnë pozitivisht. Me banorët janë marrë të gjitha masat. Është vënë në dispozicion kamioni dhe sa u instalua dhe një mjet lundrues për t’iu ardhur në ndihmë në çdo situatë emergjence. Jemi këtu për të marrë një informacion optimist, për ta koordinuar punën që të jemi sa më afër situatave”, deklaroi Jubani.

Ndërsa Drejtori i KESH Benet Beci, foli për nivele historike të prurjeve në kaskadë. Ai tha se ka një menaxhim shumë të mirë dhe se nga shkarkimet nuk ka pasur asnjë impakt në zonë.

“Prurjet momentalisht janë 3 mijë metër kub në sekondë në gjithë kaskadën, domethënë nga Fierza, Koman e poshtë. Është nivel shumë i lartë. Ditët e mëparshme kanë qenë 4200 metër kub në sekondë. Për kuriozitetin tuaj është një nga nivelet më të larta historike të prurjeve në një kohë kaq të shkurtër. Jemi përgatitur gjatë gjithë kohës, gjatë dhjetorit dhe këto javë që të kishim mundësi të menaxhonim këtë situatë që ka ardhur. Besoj e kemi nën kontroll situatën, ky është lajmi i mirë, kontrolli i plotë i situatës për sa i përket shkarkimeve nga kaskada. Ajo që është më e rëndësishme është pjesa e Vaut të Dejës që është me impakt direkt në zonë. Shkarkimet nga Vau i Dejës janë krejt minimale, janë shkarkime të punës normale të turbinave, të prodhimit. Po bëjmë prodhim maksimal dhe në Vaun e Dejës dhe në Koman, ndërsa në Fierzë nuk po prodhojmë, po mbajmë kuotat për të përmbushur rezervat për më tej. Shkarkimet që janë nga portat e Zadejës, janë krejtësisht rregullator, janë 500 metër kub në sekondë, që nuk kanë asnjë lloj impakti mbi përmbytjet dhe nuk ka pasur kurrë. Është një minimum shkarkimi pa asnjë impakt. Ulja e nivelit të Bunës, në urën e Baçallëkut është 20 cm që mbrëmë, domethënë nga 6.2 ka shkuar në 6 dhe do vazhdojë të ulet sot besoj. Pjesa e Obotit nga të dhënat që kam dhe ekspertiza e njerëzve që punojnë nuk ka të bëjë me shkarkimet, është histori e përhershme”, deklaroi ai.

Beci tha se ka një merak për të hënën. “E diela në darkë, fillon një sasi reshjesh 40 mm deri të hënën në mëngjes. Po mundohemi të krijojmë pak rezervë. Sot e kemi kuotën 75.5 në Vaun e Dejës, me pak shkarkime që bëjmë ne kemi mundësi të zbresim dhe pak, kështu që kemi mundësi të menaxhojmë dhe situatën e së hënës. Kam shumë shpresë se do jemi në një situatë që nuk do ngarkojmë me asnjë impakt të keq zonën, sa i përket kaskadës. Në Koman shkarkohet e njëjta sasi që përpunohet poshtë. Është 200 metra kub në sekondë shkarkim dhe pjesa tjetër, rreth 600 është komplet prodhim. Është një mënyrë se si administrohet kaskada.
Vau i Dejës dhe Komanit punojnë me kapacitet të plotë. Është shenjë e mirë që ne plotësojmë të gjitha nevojat në vend me energjinë në kushte pothuajse normale. Motit nuk i dihet, por ne mendojmë se e kemi situatën nën kontroll duke u nisur që këto janë raste shumë ekstreme. Ata që e dinë në historinë e reshjeve 4200 ne nuk mbajmë mend prurje për kaskadën. Sot është 3 mijë, duke e qetë por është dhe impakti që vjen pas 2-3 ditësh. Shpresojmë shumë që ne ta mbajmë kështu dhe më tej.
Kemi pasur bashkëpunim të jashtëzakonshëm me prefekturën, bashkinë. Nuk kemi gjatë natës shkakrime, i kemi gjatë ditës, transparente. Të gjitha i kemi sot këtu. Mendoj se jemi në një situatë të mirë. Ne sot në prodhim të kaskadës në të gjithë, kemi rreth 800 megavat/orë prodhim në këtë moment për të dy HEC-et e poshtme”, deklaroi Beci.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi