Zhdukja e Eglant Koçit vijon të jetë e rrethuar nga misteri. I riu rezulton i humbur prej datës 4 qershor dhe për fatin e tij ende nuk dihet gjë konkrete.
Për herë të fundit ai u pa te sheshi Wilson në Tiranë.
Me urdhër të Prokurorisë është arrestuar një person i dyshuar se mund të ketë rol në zhdukjen e 35-vjeçarit.
Enea Zyferi dyshohet se ka përkrahur autorin në zhdukjen e Koçit.
Eglant Koçi punonte si korrier që transportonte para cash mes pikave të këmbimit të kriptomonedhave.
Motori i 35-vjeçarit u gjet 2 ditë më parë në zonën e ‘1 majit’.
Njoftimi:
Tiranë/Vijojnë hetimet intensive për gjetjen e shtetasit E. K., 34 vjeç, i denoncuar nga familjarët si i humbur.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim policor 41-vjeçari që dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.
Arrestohet një 25-vjeçar, pasi dyshohet se ka përkrahur autorin e dyshuar.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë më datë 05.06.2026 nga familjarët e shtetasit E. K., 34 vjeç, për humbjen e kontakteve me të, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit A. Sh., 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin.
Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.
Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.
Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast.
Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K.
Ndërkohë, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëjmë me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit.
Në vijim, do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve.


