Rama zbulon reformat për policinë, i urdhëron: Hidhuni në sulm!

Kryeministri Edi Rama iu ka kërkuar efektivëve të Policisë së Shtetit të marrin menjëherë në kontroll gjithë vijën bregdetare, por edhe të gjitha hapësirat urbane, për të ndaluar ndërtimet e paligjshme.

Gjatë takimit me drejtuesit e policisë, kreu i qeverisë urdhëroi policët të hidhen në veprim për të identifikuar, ndaluar e penalizuar çdo subjekt që ushtron aktivitet ndërtimor të paligjshëm

“Veprimtaritë kriminale janë objekt i punës së policisë. Ju kërkoj sot hedhjen menjëherë në veprim për të identifikuar, ndaluar e penalizuar çdo subjekt që ushtron aktivitet ndërtimor të paligjshëm. Kudo në hapësirat urbane, ku cenohet prona publike, prona e tjetrit, apo çdo zonë për zhvillimin, duke filluar nga tërë vija bregdetare. Dua që kjo përpjekje të përshkallëzohet në një ofensivë sistematike, si ofensiva shfarosëse e kanabisit.

Çdo punonjës në teren duhet të ketë të qartë zonën e vëzhgimit dhe duhet të monitorohet për performancën. Të penalizojë këdo që kapet në kushtet e këtij fenomeni. Shqipëria ka humbur shumë nga ky fenomen shkatërrues e gërryes. Kjo shtysë përpara duhet të nisë menjëherë, në bashkëpunim me IKMT, si dhe me pushtetin vendor të zonave bregdetare në radhë të parë”, tha Rama.

Më tej, kreu i qeverisë foli për reformat që duhen bërë në Policinë e Shtetit, duke u shprehur se reformimi duhet të nisë me mekanizmat e Shërbimeve Inteligjente, për të vijuar me operacionin “Forca e Ligjit”, i cili sipas Ramës, duhet të vijojë luftën ndaj krimit. Më tej, Rama deklaroi se duhet vënë me urgjencë në zbatim propozimi i kryepolicit Ardi Veliu për pension të parakohshëm të policëve.

“Ka ardhur koha të reformojmë mekanizmat e Shërbimeve Inteligjente të vendit, në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Forca e Ligjit duhet të ketë në bërthamën e policisë, për një hop të mëtejshëm cilësor kundër krimit të organizuar dhe atij ekonomik. Të kërkosh më shumë nga Policia e Shtetit sot është domosdoshmëri, që duhet bërë paralelisht më mbështetje më të madhe financiare dhe ligjore.

Kemi boshllëqe që duhen mbushur sa më shpejt. Falënderoj Ardi Veliun dhe ekipin e trupës së policisë, pranoj se duhet t’iu përgjigjemi më shumë nevojave të tyre, që ata të bëjnë më shumë. Urgjente ta vëmë në zbatim propozimin e drejtorit për pension të parakohshëm të policit, ulja e moshës mesatare, si dhe rritja e numrit të efektivëve të terrenit.

Është momenti i finalizimit të procesit të ligjvënies për rritjen e paprekshmërisë së uniformës blu në krye të detyrës. Këtë javë ndryshime në Kodin Penal për kundërshtim të policit, dhunë, prekja me dorë e policit do jenë vepra penale. Mjaft më. Automjetet e vjedhura apo të pasiguruar nuk duhet të lëvizin më lirisht në Shqipëri. Është e domosdoshme për rritjen e cilësisë së punonjësve të policisë me qytetarët. Ai që nuk di të sillet me qytetarin, duhet të largohet si i padenjë. Policët e qarkullimit duhet të jenë mode mirësjellje me çdo qytetar. Jo sjellje pa edukatë me qytetarët. Vini në zbatim një plan pune.

E para rritje pagash në vijim do jetë për Policinë e Shtetit. Falënderoj trupat speciale, që dhanë kontribut shumë të madh dhe përballuan volum shumë më të madh. Pagat e tyre do rriten, si dhe prioritetet për ta.

Jam i vetëdijshëm për gjendjen ende të rëndë për disa drejtori, ku nuk është vënë dorë që prej kohës së qepës dhe vjen era e degradimit dhe kalbëzimit. Duhet finalizuar projekti për ndërhyrjen në drejtoritë e policive.

Shqipëria e 30 qershorit shërbeu të drejtën, jo të majtë, dashurinë ndaj vendit, jo mllefin ndaj vendit. duhet të përmirësojmë vetveten, punën tonë në raport me njerëzit. Ndaj dhe policia ka shumë për të mësuar, për të përvetësuar në marrëdhënie me qytetarin. Edhe unë kam shumë më shumë për të korrigjuar në marrëdhënie me ju dhe të gjithë njerëzit e këtij vendi”, u shpreh kryeministri.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi