Rama për Politico: Serbia nuk hyn në BE para Shqipërisë

Bindjen se Serbia nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Europian para Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama e ripërsëriti në një intervistë dhënë për Politico.

Serbia dhe Mali i Zi janë shënjestruar si vendet udhëheqëse në procesin e integrimit gjatë prezantimit të strategjisë së zgjerimit nga ana e Brukselit. Por, sipas Ramës, pengesa e Serbisë për anëtarësimin e plotë në BE është Kosova.

“Serbisë i duhet të kalojë përmes një procesi të dhimbëshm për të njohur, ose të paktën të zgjidhë problemet që ka me Kosovën”, deklaron Kryeministri.

Veç kësaj, Kryeministri shqiptar beson se në disa drejtime Shqipëria është para Malit të Zi dhe Serbisë dhe këtu përmend reformën në drejtësi.

“Kemi bërë saktësisht atë që na është kërkuar, ndaj ky proces duhet të jetë i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në meritë”, shton Kryeministri shqiptar.

Në intervistë, Rama njeh problematikën e lidhjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes, por kërkoi që të mos krijohen stereotipe dhe si shembull për këtë solli anëtarësimin e Bullgarisë dhe të Rumanisë.

“Kur hynë bullgarët shiheshin si vendi që u përpoqën të vrisnin Papën, ndërsa rumunët, në një mënyrë a në një tjetër u fajësuan se i treguan Europës se çfarë është prostitucioni. Tani, ne duhet të përballemi me këtë nocionin se krimi është në ADN-në tonë”, thotë ai.

Politico kujton një raport të Reporterëve pa Kufij dhe të BIRN, të publikuar javën e kaluar ku thuhet se “denigrimi i gazetarëve dhe i medias është i shpeshtë në retorikën e Ramës”. Por, për Politico Rama thotë se nuk i ka quajtur gazetarët dhe mediat “kosh plehrash”, por vetëm “kazan”.

“Ajo që unë përdor në përgjithësi është një fjalë turke (Kazan), një version shqiptar i “fake news” (lajmit të rremë) dhe që në kendvështrimin tim është e përshtatshme në këtë rast”, u shpreh ai./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi