Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, në vend ka filluar të zbatohet programi i pajisjes së të gjitha shkollave me laboratorët smart, një projekt në bashkëpunim me Bankën Botërore.
Në fjalën e tij në Konferencën rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, Rama u shpreh se, “aty ku ne nuk jemi të parët, por përkundrazi jemi mbrapa të tjerëve në rajon, është pjesa që ka të bëjë me sektorin privat të teknologjisë digjitale, dhe aty ne kemi shumë për të mësuar, dhe kemi shumë për të bërë që të dalim të parët”.
Por, shtoi kreu i qeverisë, “edhe aty janë vendosur disa piketa të rëndësishme, duke filluar nga programi i pajisjes së të gjitha shkollave me laboratorët smart, shkollave 9-vjeçare dhe shkollave të mesme. Një projekt që po e bëjmë në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe që ka filluar të zbatohet”.
Po ashtu, theksoi Rama, “kemi ndërtuar një legjislacion që kemi më të mirë sesa të gjithë këta shqiptarët e tjerë këtu, për sa i përket parqeve teknologjike dhe presim që të kemi falë këtij legjislacioni një prurje të rëndësishme interesimesh për t’u fokusuar në vendin tonë dhe me radhë një sërë masash të tjera”.
Rama theksoi se “është shumë e rëndësishme që të gjithë këto instrumente të mos mbeten në sferën e disponimit të shtetit, por të përfshijnë të gjithë sferën e aktivitetit digjital të shoqërisë ku një rol të veçantë ka sipërmarrja dhe ku dhe aty krahasuar me vendet e rajonit për nivelin e investimeve dhe nivelin e diturive në digjitalizim, përsëri jemi larg vendit të parë, për ta thënë butë”.
“Kështu që ne jemi shumë të vetëdijshëm, qoftë për ku kemi bërë progres të qenësishëm, edhe patjetër që na vjen të shikojmë Shqipërinë të renditur në vende të paimagjinueshme deri disa vite më parë në klasifikimet e avancimit të qeverisjes digjitale, por jemi njëkohësisht shumë të vetëdijshëm për progresin që duhet të bëjmë në aspektin e pjesës që i takon sipërmarrjes dhe që i takon në përgjithësi edukimit digjital të shoqërisë”, tha Rama.