Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të projektit “OSHEE Charge” këtë të hënë, më 10 nëntor, njoftoi se brenda vitit të ardhshëm Shqipëria do të hyjë në epokën e sistemit me matës inteligjentë.
Rama tha se ky inovacion do të kontribuojë në përmirësimin e procesit të faturimit dhe modernizimin e shërbimit publik të energjisë elektrike, duke e bërë sektorin më efikas dhe transparent.
“Në radhë të parë dëshiroj t’iu përcjell një përgëzim atyre që kanë punuar me këtë inovacion dhe që do t’i japin jetë një qasjeje të re, në aspektin e shërbimit publik sa i përket OSHEE-së, e cila do ta shtrijë këtë kapacitet edhe në karikimin e mjeteve elektrike. Ky është një lajm shumë i mirë që vjen në një moment shumë pozitiv për sektorin e energjisë, që është kthyer në një sektor ku inovacioni ka zënë hapësirën e vet dhe nuk punohet më në emergjencën e ditës, me ato histori që tanimë duket e pabesueshme t’i kemi jetuar ne, por kanë qenë histori të lodhshme e rraskapitëse të një periudhe kohe që zgjati deri jo shumë kohë më parë. Dhe pikërisht pse është krijuar kjo hapësirë për të menduar, punuar dhe për ta projektuar të nesërmen, ndërkohë që vazhdon intensivisht puna e përditshme, sot kemi këtë inovacion, ndërkohë që besoj se brenda vitit të ardhshëm do të kemi fillimin e punës transformuese për matësat e energjisë, duke kaluar në sistemin e matësave inteligjentë, me një parti të parë prej rreth 350 mijë matësash, dhe brenda këtij mandati besoj se do ta mbyllim edhe këtë proces, që besoj se do ta ulë edhe më tej nivelin e humbjeve elektrike në rrjet, duke e ulur nën mesataren e poshtme të BE-së, por duke e rritur cilësisht edhe faturimin e çdo konsumatori, duke riparuar ato të meta të fundit që ka procesi i faturimit.”, tha Rama.
“Data Center“, projekti që do ta kthejë Shqipërinë eksportuese të energjisë elektrike
Shqipëria po investon në infrastrukturën e energjisë së ardhshme. Kryeministri Rama gjithashtu njoftoi nisjen e një “Data Center” të avancuar me KESH-in dhe projektin e ndërlidhjes me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara, që do t’i japë vendit epërsi strategjike në eksportin e energjisë së rinovueshme. Qëllimi sipas tij është transformimi i Shqipërisë nga një vend në prag të kolapsit energjetik në një eksportues neto të energjisë elektrike.
“Nga ana tjetër kemi nisur punën po ashtu edhe për të ngritur në Shqipëri një Data Center të fjalës së fundit dhe, edhe pse nuk është drejtpërdrejt me OSHEE-në por me KESH-in, prapë është një inovacion që shkon në drejtimin që fola. Në drejtimin e një kompanie të madhe publike, ose të një sektori strategjik, ku përgjegjësia publike në shërbim është duke u përkthyer edhe në përgjegjësi për projektimin dhe materializimin në kohë të atyre që janë bazat e të ardhmes. Po ashtu, jemi edhe në një proces ku po ecim me interkonjeksionin, një projekt madhor që faktikisht do ta realizojmë si pjesë e një partneriteti strategjik me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara, dhe do të na japë si vend një epërsi të madhe strategjike në aspektin e eksportit të energjisë së rinovueshme. Këtu vjen pika kyçe e gjithë kësaj përpjekjeje: objektivi më i madh i yni është ta kthejmë Shqipërinë nga një vend që e gjetëm në humnerë dhe në prag të kolapsit energjetik, në një vend eksportues neto të energjisë elektrike.”, tha Rama.
“Brenda këtij mandati shpallim sovranitetin energjetik“
Kreu i qeverisë po ashtu u shpreh se Shqipëria do të shpallë brenda këtij mandati sovranitetin energjetik.
“Diçka e paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë dhe diçka që është në dorën tonë tanimë pasi është vetëm një çështje e pak vitesh brenda këtij mandatit të katërt të qeverisë që ne të shpallim sovranitetin energjetik dhe që të mos jemi të varur as nga importi i energjisë dhe as nga luhatjet nganjëherë katastrofike që sjellin ndonjëherë krizat që nuk kanë të bëjnë me ne”, tha Rama.
Punonjësve të OSHEE-së do u indeksohet paga me 6.1%, rritje për elektricistët dhe inxhinerët
Kryeministri njoftoi sot po ashtu se për 6 mijë e 800 punonjës të OSHEE-së do të ketë një indeksim të pagave me 6.1%. Ai paralajmëroi rritje pagash edhe për elektricistët dhe inxhinierët elektrikë.
“Dua ta theksoj për të gjithë ata që edhe ma kanë shprehur me mesazhe që në radhë të parë për 6 mijë e 800 punonjësit do të ketë një indeksim të pagave me 6.1%. Në radhë të dytë që për të gjithë elektricistët e kompanisë do të ketë një rritje page me 75 mijë lekë të reja në muaj. Së treti për inxhinierët elektrikë do të ketë rritje page me 12 mijë e 500 lekë të reja në muaj”, tha Rama, duke shtuar se do të vijojë puna për rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore në OSHEE.
Kryeministri Rama e bëri këtë deklaratë gjatë prezantimit të projektit “OSHEE Charge”, një shërbim i ri i karikimit të mjeteve elektrike, për të shkuar drejt energjisë së pastër dhe transportit të qëndrueshëm. Ky projekt synon karikimin e mjeteve elektrike në vend, si një mënyrë për të shkuar drejt energjisë së pastër, por edhe transportit të qëndrueshëm.


