https://www.aiguillealpine.co.uk/http://perpustakaan.unla.ac.id/wp-includes/MESINSLOT/https://cafesach.com.vn/https://shootless.nl/http://www.smartiming.co.uk/https://thali.pl/https://www.contraloriapereira.gov.co/https://fia.ui.ac.id/-/stoto/https://iac.ui.ac.id/qris/https://stroumfaki.gr/https://nipscollege.co.ke/https://memorialsignworld.com/https://healthcareinkenya.com/https://bayscaffolding.co.nz/https://www.prottoy.cu.ma/https://ideasvibe.com/https://www.ffl.si/https://fhunizar.ac.id/https://sgs.sheratongrandesukhumvit.com/https://disability.ui.ac.id/maxwin/https://www.fodecc.cm/https://shiki.cu.ma/https://www.fodecc.cm/Samuel-Donatien-Nengue/https://nfd.com.tr/https://eedesign.co.uk/https://defender.org.br/https://fosfobox.com.br/http://estima.xgeo.pl/
Rama bashkëbisedim me Gersi Trokën - Drita Tv

Rama bashkëbisedim me Gersi Trokën

Kryeministri Edi Rama në Episodin 5 të Sezonit 2 të podkastit “Flasim” zhvilloi një bashkëbisedim me Gersi Trokën, fitues i Medaljes së Artë në Lojërat Speciale Olimpike në Berlin, për personat me aftësi ndryshe.

Kryeministri Edi Rama: Episodi i pestë i sezonit të dytë të podkastit “Flasim” ka një të ftuar special dhe një të ftuar tjetër që shoqëron të ftuarin special. Është hera e parë që kemi një të ftuar special të shoqëruar dhe them të drejtën më vjen mirë që gjendem para një personi të shoqëruar dhe unë jam i pa shoqëruar nga çunat që rrinë pranë meje kështu që mirë se erdhe, Gersi.

Gersi Troka: Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Gersi Troka është një djalë me aftësi të veçanta, i cili ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, ka fituar medaljen e arit në Lojërat Speciale Olimpike në Berlin. Po?

Gersi Troka: Po.

Kryeministri Edi Rama: Dhe në disiplinën e 200 metrave stil i lirë në not. Pra, ti je një kampion këtu. Unë kam luajtur, por s’kam dalë kampion asnjëherë dhe më vjen shumë mirë që jam përballë një kampioni. Ndërkohë dua t’i uroj mirëseardhjen dhe shoqërueses që është nëna, mamaja, mami i kampionit. Mirë se erdhët dhe më vjen shumë mirë që takohemi pasi jemi njohur pa u njohur….

Mamaja e Gersi Trokës: Faleminderit që  na pritët edhe për mikpritjen.

Kryeministri Edi Rama: ..Nëpërmjet një ankese. E mira, një nga të mirat e kësaj punë, është që brenda kësaj të mirës të madhe që kjo punë ka, që të jep mundësinë të takosh njerëz pa fund, të cilët  përndryshe mund të mos i kisha takuar kurrë, është që rrugët e takimit me njerëzit, janë të larmishme. Dhe një nga rrugët është – dhe është një nga të mirat e kësaj të mire të madhe, – rruga e ankesave. Mamaja e Gersit më çoi një mesazh ku ankohej se djali ishte lënë pas dore. Po apo jo? Unë mesazhin ia çova Ministres së Arsimit dhe Sportit. Ministrja menjëherë u vu në lëvizje çfarë kishte ndodhur, por unë nuk e dija që në fakt kisha hapur rrugën që të njihesha me një kampion. Tani, kush do flasë përpara? Do flasësh ti apo do flasë mami? Si e keni radhën?

Gersi Troka: Do flas unë.

Kryeministri Edi Rama: Bravo! Mirë se erdhe Gersi dhe më thuaj si ja dole të dalësh kampion olimpik?

Gresi Troka: Unë dola kampion olimpik sepse kam  punuar shumë, kam bërë shumë stërvitje gjatë gjithë kohës e nuk jam dorëzuar deri tani që u shpalla kampion noti.

Kryeministri Edi Rama: Bravo! Fantastik! Ndërkohë që si e bën Gersi stërvitjen e notit? Ku, si, sa?

Mamaja e Gersi Trokës: Në fakt e ka filluar që i vogël për arsyet e sindromës që ka dhe na rekomanduan që të merrej me sportin e notit dhe aty pastaj instruktorët panë që djali mund të vazhdonte të stërvitej mirë dhe të merrte pjesë edhe nëpër kampionate ndërkombëtare, por edhe kombëtare këtu brenda vendit, kështu që ka disa vite që shkon jashtë nëpër kampionate ndërkombëtare që organizohen për persona me aftësi të kufizuar  intelektuale në përgjithësi dhe për personat me sindromën Down në veçanti.

Ka shkuar në disa shtete, në Itali, në Kosovë, në Kanada, në Abu Dhabi, ishte në lojërat speciale olimpike të parat që u shoqëruan me organizatën sportive “Special olimpics’’ që kemi ne këtu në Shqipëri. Pastaj ka vijuar në Portugali, që e çuan Kongresi rinor vjet në kuadrin e “Tirana, kryeqyteti evropian i rinisë’’ dhe sivjet morëm pjesë në Lojërat Speciale Olimpike përsëri në Berlin ku fitoi dhe medaljen e artë në garën 200 metra stil i lirë. Stërvitjen e bën me trajnerin e tij Gentian Lama në pishinën Terranda tani. E ka pas filluar tek Nobel dhe tani e bën tek Terranda. Në fakt u jam shumë mirënjohës sepse stërvitjen e bëjnë pa pagesë. Ne nuk paguajmë sa herë që shkojmë për stërvitje. Nuk i kemi të numëruara vajtjet për stërvitje. Tani po stërvitet prapë fort sepse në nëntor është një kampionat në Angli. Vitin tjetër prapë në Turqi është një kampionat që organizohet nga Organizata Ndërkombëtare e Notit për personat me sindromën Down në Turqi, lojërat “Trisome games” dhe kështu që jemi duke u stërvitur me këtë gjë. Ndërkaq Gersi pasi mbaroi shkollën e mesme profesionale për TIK, u fut në punë. Punoi tek Waikiki për rreth 2 vite e gjysmë, deri tani domethënë në shtator që iku meqë filloi Universitetin e Sporteve. Sivjet e finalizuam.

Dhe doja të thoja edhe dy fjalë për ministren Kushi se për ne ajo do mbetet ministrja që realizoi një nga dëshirat e Gersit për të vazhduar universitetin e Sporteve. Në fakt vulën ia vuri vetë Gersi sepse fitoi medaljen e artë, kështu që meqenëse nuk kishte shpërblim tjetër, u mendua që të vazhdonte Universitetin e Sporteve. Dhe kështu që ne e falënderojmë shumë se ajo ishte një nga ato që e dha këtë mundësi. Me ministren e re të Arsimit dhe të Sporteve ndoshta do të kemi dhe me të bashkëpunim të mirë siç edhe me zonjën Kushi për arsye se ajo vjen edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe është shumë e njohur me personat me aftësi të kufizuar intelektuale. Bashkia ka qenë me thënë të drejtën një ndër ato institucione që e ka mbështetur shumë, edhe në këto lojërat olimpike që kanë shkuar, kanë shkuar me mbështetjen e kryetarit të bashkisë. Ne i jemi shumë mirënjohës natyrisht, ai është bërë shumë i dashur për atletët e “Special Olympics”.

Kryeministri Edi Rama:  Ndalo pak se na vure përpara…

Mamaja e Gersi Trokës:  … Po juve thatë që unë bëra ankesë. Tani po i them drejtpërsëdrejti.

Kryeministri Edi Rama: Shumë mirë. Unë nuk u ankova. Unë shpreha kënaqësinë për ankesën sepse …

Mamaja e Gersi Trokës: Po s’i lamë radhë kampionit do thoni juve..

Kryeministri Edi Rama: Sepse nëpërmjet ankesave dhe falë njerëzve që nuk dorëzohen, por që bëjnë përçapjet e tyre dhe që e ngrenë zërin e tyre, ne mësojmë dhe e kam thënë dhe e them gjithmonë, qeveria nuk i di të gjitha, përkundrazi, dhe sa më shumë të dëgjojë aq më mirë është ëdhe kur njerëzit e bëjnë që të dëgjojë, përmirësojmë dhe meqë folëm për shpërblimin në fillim, aty doja të bëja një ndërhyrje, pastaj …

Së pari, një herë që ky nuk është shpërblim. Kjo është meritë dhe është meritë dhe njëkohësisht është shoqëria edhe përmes nesh natyrisht, edhe përmes meje këtu që duhet ta falënderojë Gersin sepse ka hapur një rrugë. Ka hapur një rrugë edhe për të tjerë mbrapa që jo domosdoshmërisht duhet të jetë kampion olimpik, se kampionët janë pak, por sportistët janë shumë dhe fëmijë me aftësi të veçanta që janë shembuj edhe për fëmijët e tjerë me pasionin, vullnetin, por edhe rezultatet e tyre, meritojnë të ngrihen në piedestal. Ndërkohë që, kur vjen puna tek futja në universitet, atyre duhet t’u hapet rruga edhe pse mund të mos jenë kampionë. Kështu që, dy vjet nuk janë të humbura për Gersin sepse ka punuar, ka parë një tjetër anë të jetës.

Mamaja e Gersi Trokës: Fitoi një eksperiencë të jetës…

Kryeministri Edi Rama: Ka treguar veten në një tjetër front duke provuar që paragjykimet dhe refuzimet ndaj fëmijëve me aftësi të veçanta janë problem i atyre që i kanë, jo i këtyre fëmijëve dhe ndërkohë ligji special, ligji për hapësirën që duhet të ketë edhe kjo federatë, përsëri është një detyrim i yni, nuk është një çështje, le të themi shpërblimi apo edhe për këtë, ti meriton duartrokitje dhe falenderime sepse prapë ti bëhesh sebep për këtë, kështu që unë të jap fjalën, ju jap fjalën që ta bëjmë menjëherë dhe këtë  integrim të federatës nën ligjin e sportit, jo vetëm për njohjen e shpërblimeve. Kampionët janë të rrallë, por edhe për të marrë pjesë në ndarjen e buxhetit që ndahet midis federatave çdo vit për të ndihmuar aktivitetin e tyre. Kështu që, ti je një kampion edhe në pishinë, ti je një kampion edhe në jetë, ti je një kampion edhe në mënyrën sesi arrihen edhe ato që duken të pamundura kur është fjala për të hapur dyer për të drejtën tënde. Natyrisht në këtë pikë duhet ta ndash medaljen me mamin se mami e ka shtyrë derën. Unë të falënderoj shumë dhe tani. Dhe tani natyrisht ne te dy këtu bashkë me mamin jemi për ty, nuk je ti për të na dëgjuar neve. Më dhe një përgjigje të parë. Më pëlqeu shumë përgjigja e parë. Tani kam një pyetje tjetër.

Sa të lodh sporti edhe sa fuqi ke nevojë të marrësh çdo ditë për të shkuar prapë në pishina apo e bën me qejfin më të madh dhe s’ke problem.

Gersi Troka: Unë notin e kam filluar 9 vjeç ose 15 vjet dhe nuk jam ndalur kurrë në not sepse unë aty stërvitem dhe nga lodhja e madhe unë dua të bëj maksimumin e maksimumeve. Të jem nga kampionët më të fortë që ka këtu në Tiranë. Unë kam një hobi ndaj një kampioni, Michael Phelps. Ai ka thyer rekord edhe dua të notoj si Michael Phelps edhe të jem unë një nga kampionët më të mëdhenj që ka Shqipëria sot.

Kryeministri Edi Rama: Ti e di që Michael Phelps e quanin “Peshkaqeni” apo jo?

Gersi Troka: Po.

Kryeministri Edi Rama: Kurse ti je një delfin që shkon shpejtë edhe më shpejtë edhe që mrekullon mamin dhe që na mrekullon të gjithëve. Ndërkohë përveç notit me çfarë merresh tjetër?

Gersi Troka: Unë merrem edhe me basketboll.

Kryeministri Edi Rama: Merresh edhe me basketboll?

Gersi Troka: Po, kam qejf shumë të luaj edhe basketboll.

Kryeministri Edi Rama: E kemi prishur atë koshin e basketbollit që kishim aty te oborri i kryeministrisë se do të kisha ftuar të bënim një ndeshje basketbolli me gjuajtje, por nuk e kemi më koshin kështu që do ta shtyjmë për një herë tjetër ndeshjen.

Gersi Troka: Përveç basketbollit kam shumë dëshira të tjera. Nga dëshirat që unë dua, është që të bëhem këngëtar sepse unë gjithë kohës dëgjoj vetëm muzikë. Më pëlqen hip hop, më pëlqen Noizi sesi këndon sepse ti je takuar vërtete me Noizin dhe unë dua të takohem vërtetë me Noizin

Kryeministri Edi Rama: Kjo nuk diskutohet. Noizi duhet të takohet me ty, jo ti me Noizin se Noizi vërtetë është këngëtar që e duan shumë sidomos të rinjtë, por ti je kampion. Noizi s’ka medalje ari. Ti ke medalje ari dhe ti e ke medaljen e arit në lojëra olimpike. Pra ti ke bërë garë me gjithë botën, nuk ke bërë garë këtu brenda për brenda siç bën Noizi. Kështu që Noizi të jap fjalën do ta ketë për kënaqësi që të takojë. Nuk e dija që e kisha këtë dëshirë se do ta kisha sjellë këtu Noizin nëse është në Shqipëri dhe me siguri do kishte ardhur me shumë qejf. Por të siguroj që Noizi do të të takojë. Po tjetër kush të pëlqen përveç Noizit?

Gersi Troka: Edhe Stresi. Sepse këta kanë qenë dy shokë të ngushtë, tani janë afruar më shumë. Dua të takoj edhe ekipin që ka Noizi.

Kryeministri Edi Rama: E do Noizin me gjithë ekip? Tani unë si fillim do të takoj me Noizin, pastaj Noizi do të të marrë dhe do të të çojë kur të jetë duke regjistruar ndonjë disk, kur të jetë duke regjistruar ndonjë këngë, do të jesh aty dhe të shohësh si e regjistron këngën bashkë me ekipin. Por si fillim takoje vetë.

Gersi Troka: Do takoj një herë atë se kam menduar një këngë që dua të bëj me Noizin! O me Rap o me dashuri!

Kryeministri Edi Rama: O me Rap o me dashuri! Çfarë ka tjetër përveç Rap-it dhe dashurisë? Këto janë! Po tjetër? Libra lexon?

Gersi Troka: Libra kam lexuar kur isha i vogël, por tani nuk jam shumë i librave.

Kryeministri Edi Rama: Po pse nuk je shumë i librave?

Gersi Troka: Se më shumë studioj nëpërmjet lajmeve që jepen. Prej atyre unë marrë informacione të tjera sesa librat.

Kryeministri Edi Rama: Këtu nuk jam shumë dakord me ty. Këtu e kemi një çikë problem dhe besoj mami është dakord me mua. Më shumë libra duhen.

Mamaja e Gersi Trokës: Edhe sidomos tani që filloi dhe shkollën, duhet se universiteti i sporteve nuk ka vetëm basketboll dhe atletikë.

Kryeministri Edi Rama: Se nuk mund të shkosh në shkollë t’ju tregosh lajmet atyre se lajmet na luajtën mendsh. Lajmet janë “çfarë ka ndodhur dje e shohim sot ose çfarë ndodh sot, e shohim sot. Kurse librat janë çfarë ka ndodhur në historinë e botës, çfarë ka ndodhur në historinë e Shqipërisë etj, disa gjëra duhet t’i mësojmë një çik apo jo? T’i lexojmë një herë! Pastaj edhe t’i mësojmë disa. Jemi dakord me këtë? Ma jep fjalën që do i fillosh të lexosh libra? Jo shumë, nga një faqe në ditë. Çfarë të kushton? Një faqe në ditë përpara se të flesh gjumë! E lexon dhe të zë gjumi mirë se nuk mund të dëgjosh Noizin para se të flesh se të çon nga krevati prapë. Noizin duhet ta dëgjosh në mëngjes kur zgjohesh që të marrësh një çik energji ose kur shkon në stërvitje me kufje dhe dëgjon Noizin që të çash ujin më shpejtë. Kurse kur të shkosh në shtëpi dhe mbasi  të kesh mbaruar gjithë të tjerat, të lexosh pak. Se tani je futur ne universitet dhe duhet pak të jesh në lartësinë e duhur. Ti mund të jesh kampion në çdo gjë, edhe në mësime mund të jesh kampion. Po t’ia vësh ti detyrë vetes, besoj unë apo jo? Sa ka ndikuar sporti në gjithë lëvizshmërinë dhe në mënyrën e të jetuarit?

Mamaja e Gersi Trokës: Ka ndikuar shumë në fakt në mënyrën e të jetuarit. Ka ndihmuar shumë sepse është dhe i pavarur. Nuk ka problematika shëndetësore që mund të kenë persona që janë karakteristika të këtyre personave, kështu që është tamam një njeri që jeton dhe punon dhe mëson si gjithë të tjerët.  E ka bërë që të jetë i hapur, të mos ndjejë veten inferior. Në çdo gjë do që të jetë i pari. Nuk ndien fare që nuk është njësoj si të tjerët. Është i afruar, është komunikues. Sporti i ka dhënë goxha ndihmesë në mbarëvajtjen në të tërës si një njeri që është i integruar në jetë. Edhe në punë ishte goxha i integruar.

Kryeministri Edi Rama:  Unë doja të të bëja dhe një pyetje tjetër. Se të pashë që ke telefon në dorë. Si i ke marrëdhëniet me kompjuterët, me teknologjinë?

Gersi Troka: Gjithë kohën jam shumë i dhënë pas teknologjisë.

Kryeministri Edi Rama: Je i varur shumë nga teknologjia ?

Gersi Troka: Po, po!

Kryeministri Edi Rama: Por për çfarë e përdor telefonin për shembull gjithë kohës?

Gersi Troka: E përdor sepse për shembull kam instagram, kam tik-tok, por kam dhe facebook dhe mesenger që i përdor shumë.

Kryeministri Edi Rama: Po ndërkohë, çfarë sheh aty?

Gersi Troka: Unë shoh jetën reale në këto rrjetet sociale.

Kryeministri Edi Rama: Tani ajo nuk është dhe aq shumë jeta reale se aty një pjesë e madhe e njerëzve dalin siç nuk janë, duken më të bukur seç janë, duket sikur kanë më shumë se ç’kanë. Tregojnë shumë më tepër pamjen e tyre të jashtme sesa vlerat e tyre të brendshme. Kështu që ajo nuk është dhe aq shumë jeta reale që ta dish. Domethënë jo çdo gjë sheh aty, jo të gjithë ata që sheh atje me ato makinat, i kanë vërtetë ato makinat. Mund ta kenë marrë makinën për të dalë në fotografi, por pastaj kthehen në shtëpi në këmbë kështu që ta dish. Dhe e hapi mami bisedën e punës. Po desha të të pyes kur fillove punën, çfarë bëre me rrogën e parë që more se jam shumë kurioz.

Gersi Troka: Me rrogën e parë, kam një sirtar te dhoma ime plot me kapele. Kam shumë kapele me NY edhe me shkronja të tjera. Kam shumë qejf dhe rroba luksi dhe syze luksi.

Kryeministri Edi Rama: I ke nga instagrami këto, e sheh? Dhe nga tik-toku! I sheh aty dhe të ka çoroditur. Luksi jot është këtu në zemrën tënde, është këtu në mendjen tënde dhe është tek ajo që ti bën. Ti jeton në një luks që nuk është luksi i dukjes, por është luksi i përmbajtës dhe luksi jot është që ti ushtron pasionin tënd, jeton me pasionin tënd dhe nuk je i detyruar që të bësh gjëra  që nuk ke dëshirë ti bësh apo jo? Ky është luksi. Nuk janë syzet dhe rrobat. Rrobat nuk e bëjnë njeriu. Dakord, nuk po them që të dalësh lakuriq, as që të vishesh keq. Po të vishesh me shije, të vishesh siç je vet, jo siç ta imponojnë të tjerët. Jeton me pasionin tënd dhe nuk je detyruar të bësh gjëra që nuk ke dëshirë t’i bësh, apo jo?

Gersi Troka: Po.

Kryeministri Edi Rama: Unë thashë se do thoshe që vesh bluzat e Michael Phelps, po ti më thua mua kam qejf rroba luksi.

Gersi Troka: Të them diçka zoti Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama: Mua më thuaj Edi ti njëherë, mos më thuaj zoti Edi Rama, se unë për ty nuk jam zoti Edi Rama se ti je kampion, kurse unë s’kam dalë kampion ndonjëherë.

Gersi Troka: Zoti Rama, ndonjëherë unë ato i nxjerr vetëm nga goja. Nuk i kam parë asgjëkundi. Unë thjesht i kam parë online.

Kryeministri Edi Rama: E pra, te Instagrami, te Facebook-u. Ato e çorodisin njeriun. As mos ia var atyre fare. Më dëgjo mua. Mos ia var fare. E rëndësishme është që, ja ti përshembull je veshur, çfarë kuptimi do të kishte një bluzë nga ato që i thua luksi dhe si do ishte ajo bluzë më e bukur se bluza që ke “Special Olympics Albania” dhe ti je kampion, hë më thuaj tani. Se po ta veshi dikush tjetër atë “Special Olympics Albania” është një tifoz, kurse ti je kampioni. Ti je ai për të cilin bluza është bërë. A më kupton apo jo? E di çfarë bën Noizy meqë më fole për Noizyn? Bën rroba vetë. I bën vetë. Edhe ti duhet të kesh bluza dhe duhet të vishesh siç je ti, që je ti, të tjerët të të imitojnë ty, jo ti të imitosh të tjerët.

Gersi Troka: E di.

Kryeministri Edi Rama: Me ato që sheh ti atje, që dalin ashtu, me ato bluzat. Ato mezi vrapojnë 100 metra. Ata t’i hedhësh në det, ka rrezik se mbyten po s’patën dikë që t’i rrijë afër ose po mos ishin me kamerdare. Kurse ti i hyn detit dhe del nga ana tjetër apo jo? Shkon në plazh?

Gersi Troka: Po shkoj në plazh.

Kryeministri Edi Rama: Po të pëlqen të bësh not në det apo e ke më qejf në pishinë?

Gersi Troka: Jo, edhe në det notoj, jo vetëm në pishinë.

Kryeministri Edi Rama: Jo që noton nuk e diskutoj, po e ke qejf notin në det?

Gersi Troka: Po, po e kam. Edi Rama, unë të kam ndjekur ty me sy kur flet në Kuvend sepse unë jam fansi jot, jam fans i Partisë Socialiste dhe të kam votuar, që të rrish në pushtet, atje ku je ti tani.

Kryeministri Edi Rama: Këtë nuk e dija. Të falënderoj shumë dhe shpresoj që të mos zhgënjej. Të kam zhgënjyer ndonjëherë deri tani?

Gersi Troka: Asnjëherë!

Kryeministri Edi Rama: Atje në Kuvend ndonjëherë edhe të kam zhgënjyer, se e ke parasysh tani. Ai Kuvendi është një çikë si, edhe teprohet, e kupton. Tepron njëri, tepron tjetri, aty duhet të të kem zhgënjyer ndonjëherë, besoj, një çikë, pak fare. Megjithatë rëndësi ka që njeriu ta kuptojë edhe kur bën gabim, e kupton edhe thotë do përpiqem mos ta bëj prapë. Ndodh që ta përsërisë ndonjëherë, po prap thotë gabim. Të tërheq politika?

Gersi Troka: Po më tërheq shumë.

Kryeministri Edi Rama: Më thanë që je bërë dhe “deputet nderi” i Parlamentit të Studentëve. Jo, kështu më thanë. Thashë, po ky ç’ është ngatërruar dhe me deputetllik. Ti je kampion.

Gersi Troka: Jam kampion, po kam qejf të merrem dhe me politikë. Po e them edhe për mamin që tani është këtu. Mami ka qenë shumë me ju, por ka raste se e ka dredhur sepse nuk është më me Partinë Socialiste, por është me Partinë Demokratike, po ka ecur vetëm drejt, vetëm drejt dhe ka votuar njërin e një partie vetëm për ne, për aftësinë e kufizuar më së shumti.

Kryeministri Edi Rama: Po unë nuk mërzitem me mamin. Përkundrazi, unë e kuptoj shumë mirë mamin që ka votuar për Partinë Socialiste, ka pritur që ne të bëjmë më shumë, ka votuar prapë, ka pritur të bëjmë më shumë, pastaj, mbase në një moment të caktuar ka thënë, jo, këta nuk po e bëjnë sa duhet punën që unë i kam votuar dhe ka shkuar ka zgjedhur dikë tjetër, që nuk e di kush është, po ai nuk ia zgjidh e nuk ia zgjidh, por megjithatë për mua nuk ka rëndësi pjesa e atij. Për mua ka rëndësi që të bëj maksimumin që mami të kthehet prapë dhe të votojë për Partinë Socialiste. Kështu që, mos thuaj “ta ka dredhur”. Thuaj që mami ka ndryshuar qëndrim, se nuk është dredhje ajo. Nuk është mami ajo që më ka borxh mua, apo jo? Nuk është ai që më voton ai që më ka borxh mua, jam unë që i kam borxh atij dhe e rëndësishme është që mos ia dredh unë atij, pastaj ai, në qoftë se e dredh, thotë ok, unë e provova. Nuk më doli siç e prisja dhe po shkoj të bëj një provë tjetër. Vota për atë punë është. Kështu që, ti ta duash Partinë Socialiste, ta besosh, ta mbështesësh, por jo verbërisht. Sepse duke mos e mbështetur verbërisht, po duke e mbështetur me sy të hapur, ti edhe ndihmon. Jemi dakord me këtë.

Gersi Troka: Po.

Kryeministri Edi Rama: Tani do më thuash pak për shokët. Për politikën e folëm. Për muzikën folëm. Folëm pak për librat. Për notin folëm, për punën folëm, për shokët?

Gersi Troka: Në punë kam qenë shumë i lidhur me shefin, me Nikolën, që e përshëndesim. Ai ka qenë shumë i afërt me mua në çdo situatë që i ka thënë mami, ka qenë shumë i sinqertë dhe shumë i drejtë. Madje unë kam njohur edhe dy persona që më kanë mbështetur. I pari më ka mbështetur shumë Ermali dhe Dritan, Tani. Këta të dy janë mbështetja ime, sepse kur hyra unë para ata direkt më mbështetën dhe mu afruan shumë. Dhe kemi dalë edhe nëpër darka, po më shumë i kam vetëm ata të dy se më kanë qëndruar gjithmonë afër.

Kryeministri Edi Rama: Çfarë moshe kanë ata?

Mamaja e Gersi Trokës: Janë pak më të mëdhenj se Gersi. Gersi është 23 tani, ata mund të jenë te të 30-at.

Kryeministri Edi Rama: Po shkoni mirë?

Gersi Troka: Po, shkojmë shumë mirë. Atje kam edhe shoqe.

Kryeministri Edi Rama: Shoqe. Na trego pak për shoqet tani.

Mamaja e Gersi Trokës: Edhe shoqet e ndihmonin.

Gersi Troka: Po sigurisht.

Kryeministri Edi Rama: Na trego pak për shoqet, pse qesh? Na trego.

Gersi Troka: Jo nuk qesh, seriozisht, jam i drejtpërdrejtë.

Kryeministri Edi Rama: Atëherë, shoqet.

Gersi Troka:  Njëra më ka thënë, Irena Rusaj se tani nuk flet edhe as nuk dëgjon.

Mamaja e Gersi Trokës:: Edhe ajo është me aftësi ndryshe, që nuk dëgjon dhe nuk flet. Po LC Waikiki e ka si politikë që marrin persona me aftësi të kufizuar. Atëherë kur hyri Gersi, ajo ishte aty prezente. Si duket e kanë që i mbështesin, i përkrahin.

Kryeministri Edi Rama: Ne në fakt e kemi futur në ligj këtë punë, mirëpo kompanitë, në përgjithësi nuk e zbatojnë që duhet të kenë 1 person me aftësi të veçanta në 25 punonjës, në mos gabohem. Nuk e zbatojnë sepse kanë paragjykime dhe duke të parë ty, ti i ndihmon të kuptojnë që personat me aftësi të veçanta kanë nevojë për pak vëmendje dhe durim për të komunikuar dhe pastaj janë absolutisht si të tjerët. Madje, në raste të caktuara janë më të zgjuar dhe më punëtorë se të tjerët dhe ne jemi duke bërë një plan pune që do të fillojmë ta kërkojmë këtë me këmbëngulje që personat me aftësi të veçanta të kenë vendin e tyre, sipas ligjit edhe të kenë aksesin e tyre në punë sipas ligjit. Edhe në këtë pikë, ti na ndihmon sot. Çfarë s’e kemi bërë mirë, do ta bëjmë më mirë.

Por siç thatë dhe më përpara ankesat janë një nga gjërat më të mira që kjo punë ka për të mësuar edhe për të vepruar, edhe për të korrigjuar gjërat sepse nëse askush nuk ankohet dhe nëse realiteti shikohet vetëm me sytë e atyre që shkruajnë raportet, kur i lexon shumë gjëra nuk figurojnë këtu. Mos të them që shumë gjëra dhe shkruhen sipas asaj, mbulohet një gjë, zbukurohet diçka tjetër. Kështu që në këtë pikë jemi në rregull. Unë jam shumë i dëshiruar të dëgjoj ankesa dhe …

Mamaja e Gersi Trokës: Do ishte shumë mirë që të bëhej edhe një takim personalisht për personat me aftësi të kufizuara, me prindërit, me të afërmit, po qoftë edhe vetë me personat si Gersi, edhe ndonjë tjetër që edhe mund të thotë diçka.

 

 

Kryeministri Edi Rama: Ne do të organizojmë shumë shpejt dhe do t’ju kërkojmë ndihmë edhe juve. Bëjmë një bashkëbisedim paraprak me të dyja ministret, të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe të Arsimit me një grup prindërish. Mesa kuptoj unë ju jeni shumë aktive në këtë fushë dhe normalisht dini shumë më tepër, kështu që ta bëjmë një gjë të tillë, pastaj mund të krijojmë nga ai bashkëbisedim një bord të prindërve që mund të takohen një herë në tre muaj për të diskutuar me të dyja ministret, lidhur me çfarë është bërë, çfarë s’është bërë, ku ka ndonjë përmirësim, çfarë mund të bëhet ndonjë gjë tjetër, ku ka përkeqësim, këtë mund ta bëjmë.

Gersi Troka: Normal Edi Rama se unë vet si person në atë intervistë e kam ngritur unë zërin sepse për mua nuk janë bërë disa gjëra të sakta, për pjesën e universitetit të sporteve.

Kryeministri Edi Rama: Problemi është që kur gjërat nuk janë të parashikuara saktë ose fare në një ligj të caktuar dhe kur në një nivel të caktuar edhe për shkak se s’janë të parashikuara dhe për shkak se s’ka vëmendje, s’ka angazhim, 1001 arsye, atëherë nuk duhet lënë lufta, duhet vazhduar siç e vazhdoi mami dhe trokiti deri në dritaren e atij telefonit tim dhe pastaj ne bëmë diçka, po tani që po diskutonim mendova për një rast tjetër. Unë nuk e njoh atë fëmijë, ai është një fëmijë me aftësi të veçanta që të mos gabohem, luan piano. E ëma përsëri, familja donte ta çonte në Liceun Artistik, e Liceu Artistik kishte të njëjtin problem dhe me pak përpjekje, duke qenë se përsëri familja mu drejtua. Kështu që tani është momenti që këtë gjë, sepse faktikisht pas asaj ngjarje, unë e pashë mirë kuadrin ekzistues edhe kam dhënë porosi që kjo gjë duhet riparë. Kështu që, këtë gjë tani do ta bëjmë që vitin tjetër të mos i kemi më këto probleme. Do kemi probleme të tjera, po jo këto. Tjetër për çfarë e ke ngritur zërin?

Gersi Troka: Madje e kam ngritur vërtet zërin sepse kemi bashkëpunime me personat me aftësi të kufizuar. Edhe të ndihmohen financiarisht edhe me kurse të specifikuara për këta persona sepse sipas ligjit që them unë edhe nenit, këta persona duhet të ishin ndihmuar. Edhe askujt nuk ia kanë shtrirë dorën askujt edhe kanë mbetur mbrapa.

Kryeministri Edi Rama: Tani se unë nuk dua të bëjë tani këtu mbrojtjen e qeverisë, por e vërteta është që ne kemi bërë shumë ndryshime në këtë fushë. Për shembull, përpara disa vitesh nuk ka patur mësues ndihmës, sot kemi një numër të madh mësuesish ndihmës në shkolla që janë vetëm për këta fëmijë, që merren vetëm me këta fëmijë, nuk merren. Pra këta fëmijë janë në klasë dhe për ta ka një mësues të veçantë. Dhe nuk po rri të numëroj se çfarë kemi bërë akoma se akoma nuk ke kandiduar përballë meje që të bëjmë debat, kush do marri më shumë vota, por nuk është e vërtetë, se nuk dua të kalojmë nga ekstremi në ekstrem që nuk është bërë asgjë. Jo janë bërë gjëra të pamjaftueshme, duhet bërë më shumë dhe ja për shembull edhe kjo që kemi bërë për ty është diçka që jo vetëm është një gjë e vogël më shumë, por është edhe një arsye për ta hapur tani derën për të gjithë, që të mos jetë më një çështje që u ankova dhe e fitova dhe ndërkohë dikush që nuk ankohet nuk e fiton, por ka për të gjithë. E thamë, ti na ke dhënë me forcën e shembullit tënd, na ke vënë ne, si të thuash, na ke ndriçuar një shteg për vazhduar me këtë punë. Kështu që unë të falënderova dhe të falënderoj prapë. Tjetër për çfarë e ke ngritur zërin?

Gersi Troka: Madje unë kërkoj një premtim nga ty nëse do ma realizosh për aprovimin e “Special Olimpikut” të njihet me ligj.

Mamaja Gersi Trokës: Po po e tha që në fillim

Gersi Troka: Po e di, sepse unë me këtë kam lidhje dhe e kam parë se si janë të drejtat e një personi me aftësi të kufizuar. Unë dua të ketë më shumë ndihmë për aftësitë e kufizuara.

Kryeministri Edi Rama: Në këtë jemi të qartë dhe e thamë dhe do ta bëjmë nuk diskutohet. Këto që folëm këtu, çfarë themi e bëjmë, sepse duhet të themi atë që bëjmë e të bëjmë atë që themi. Tani, se po i afrohemi fundit të bisedës, familja juaj kë ka tjetër përveç ju të dyve?

Mamaja e Gersi Trokës: Vetëm ne të dy jemi…

Gersi Troka: Dua të them të drejtën se mami nuk e harron vetëm ne të dy. Me ikjen e babait tim nga kjo jetë, se unë fare nuk e kam takuar kur isha i vogël dhe kam keqardhje pse iku sepse unë me të nuk isha njohur, sa ta takoja njëherë babin tim si është dhe pastaj të ikte dhe sipas rrugëtimit, se isha unë, mami, gjyshi dhe nëna, këta ishin shtysa që unë e bëra vendin krenar, se tani u bëra dhe kampion në not. Shenja se nëna u plak, dhe ajo iku. Me nënën ishim shumë të lidhur, iku dhe gjyshi. Kjo sot mua më trishton shumë. Ikja nga jeta e prindërve tanë më ka lënë një brengë edhe tani e ndjej sepse kam parë shumë intervista, kam parë njerëz si babi, si nëna, si gjyshi, por më shumë kam përmendur nënën dhe doja që askush nga prindërit të mos iknin në këtë kohë kur unë ata i dua pa masë. Mirë unë, por dhe mami kishte një dashuri pa fund për këta prindërit që tani nuk janë.

Mamaja e Gersi Trokës: Kur ishte Gersi një vjeç e gjysmë dhe u nda nga jeta bashkëshorti dhe babai i Gersit sepse ishte i sëmurë, kështu që ne të gjithë këtë rrugëtim e kemi pasur të dy bashkë. Në fakt, kanë qenë prindërit e mi që thotë Gersi, por tani ata nuk jetojnë më dhe përfundimisht ne jemi të dy dhe luftojmë bashkë, d.m.th. e bëjmë rrugëtimin bashkë.

Kryeministri Edi Rama: Jeta fillon, mbaron dhe nuk ka radhë, se do ishte mirë të ishte ashtu siç the ti, që të kishte radhë, por nuk ka radhë. Kështu që, secili ka atë pjesën e vet për ta marrë dhe për të bërë më të mirën përsa kohë jemi në këtë botë. Pastaj, të gjithë do ikim. Ama, për sa kohë jemi në këtë botë, të bëjmë më të mirën dhe të arrijmë që të themi, “e bëra diçka me këtë mundësi magjike që mu dha që të fitoj”. Tani, që ta ndërrojmë pak se u bë, një pyetje kam, ti mua nuk më njihje, nuk jemi takuar ndonjëherë bashkë?

Gersi Troka: Asnjëherë.

Kryeministri Edi Rama: Në krahasim si më ke njohur pa më takuar dhe tani që ndenjëm bashkë, çfarë ndryshimi sheh ti?

Gersi Troka: Unë një ndryshim kam tek veshja, sesi vishesh.

Kryeministri Edi Rama: Po kështu vishem unë dhe kur më sheh në televizor.

Gersi Troka: Aty dukesh shumë ndryshe, je veshur më ndryshe. Tani këtu vishesh me këtë bluzë jo mirë, jo lux. Nuk është e hekurosur, nuk është e krehur.

Kryeministri Edi Rama:  Tani, e hekurosur, edhe unë mund të them ty që edhe bluza jote nuk është e krehur, se kështu më the “Nuk e ke të krehur”. Po dhe ti nuk e ke të krehur bluzën. Më e rëndësishmja është ajo që të thashë më përpara, mos e harro atë. Harroje atë luksin, harroji ato. Nuk e bën veshja njeriun, e bën njeriu veshjen. Harroje atë se më shkatërrove me atë. Në televizor unë dal dhe ashtu. Në Kuvend që më sheh ti unë nuk mund të shkoj kështu se atje është tjetër gjë, aty është etika e traditës së atij institucioni që shkohet i veshur në mënyrë zyrtare, por nuk janë këto, në fund të fundit, që përcaktojnë…

Mamaja e Gersi Trokës Edhe ty, nuk të tha ministra që aty do shkosh i veshur me kostum? Ja kështu.

Kryeministri Edi Rama: Pse nuk ke ardhur me kostum këtu tek unë? Ke ardhur me bluzë të pakrehur..

Mamaja e Gersi Trokës “Të palarë” e “të pahekurosur”.

Kryeministri Edi Rama: Jo, për të palarë se them kurrë unë se nuk të lë mami ty të dalësh palarë. Përveç bluzës, se ma le tek bluza, kështu përtej bluzës dhe kostumit, nga kjo bisedë si mbete, më i kënaqur apo më i zhgënjyer?

Gersi Troka: Jam më i kënaqur me premtimin..

Kryeministri Edi Rama: Për Noizyn…

Gersi Troka: Jo nuk e kam tek Noizy. Jam i kënaqur nga biseda që bëmë sepse ti i mbajte disa premtime sepse thamë sesi bërë në fillim…

Mamaja e Gersi Trokës: I mbajti shënim, por të shikojmë sa do t’i zbatojë..

Kryeministri Edi Rama: Unë kam mbajtur ato më para, që ti të futeshe në universitet, u fute në universitet. Tani duhet të mbaj këto të tjerat. Kështu që, dëgjoje mamin se mami dëgjon me vëmendje, e the ti. E the ti “nuk ta jep mami votën kështu me sy mbyllur”. Do të shohë njëherë. Okej, ja thamë të shohim tani. Kështu duhet të jenë njerëzit. “Unë jam me këtë, le të bëjë çfarë të dojë”. Jo, nuk ka le të bëjë çfarë të dojë. Jam me këtë, unë e mbështes, ky duhet të më mbështesë. Në qoftë se unë e mbështes dhe ky nuk më mbështet, atëherë unë do shoh se kush mund të më mbështesë.

Kryeministri Edi Rama: Dua të të bëj dhe një pyetje të fundit. Meqë ma përmendi pak mami që kemi pasur dhe mbështetje nga bashkia dhe kryetari i bashkisë. Të pëlqen të jetosh në Tiranë?

Gersi Troka: Po, dua të jetoj në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama: Çfarë të pëlqen në Tiranë?

Gersi Troka: Sepse ka shumë aktivitete, ka shumë fusha basketbolli, futbolli dhe volejbolli. Të ketë më shumë fonde ku mund të stërviten këta persona.

Kryeministri Edi Rama: Jo vetëm këta persona, por duhet të stërviten të gjithë fëmijët. Sportin duhet ta bëjnë të gjithë sepse sporti ty të ka dhënë shumë fuqi, imagjino tani dikush tjetër që nuk i ka pasur të gjithë ato probleme që ke pasur ti për të kapërcyer me fizikun, kur bën sport fluturon. Për këtë arsye është shumë i rëndësishëm shembulli jot. Unë të falenderoj shumë. Shpresoj të jesh kënaqur. Unë u kënaqa për vete, shpresoj që ti nuk u mërzite të paktën sepse a u kënaqe, kjo edhe më mirë, por shpresoj që nuk u mërzite.

Gersi Troka: Nuk jam i mërzitur njëherë dhe të falenderoj shumë se pranova ftesën të flas me zotin kryeministër këtu.

Kryeministri Edi Rama: Tani të rrimë shtrembër e të flasim drejtë, mua më thanë, e kam të shkruajtur aty nga stafi im “Gersi Troka do takim me ty dhe do të flasë në Podcast”. Madje më thanë dhe diçka tjetër, do të sjellë një surprizë me telefon, me muzikë, se ça më thanë. Ke ndonjë gjë në telefon që do të më bësh surprizë.

Gersi Troka: Po për atë të thashë unë. Ajo kënga. Ta kërkova.

Kryeministri Edi Rama: Hajde pra, jepi. Çfarë kënge është kjo.

Gersi Troka: Fatos Nano.

Mamaja e Gersi Trokës: Si muzikë, hape.

[vendos këngën]

Kryeministri Edi Rama: Bravo!

Gersi Troka: Rrofsh!

Kryeministri Edi Rama: Na e mbylle në mënyrën më të papritur dhe më spektakolare. Unë të falenderoj shumë, ty Gersi dhe zonjën, mamin. Shumë faleminderit për këtë kënaqësi!

Mamaja e Gersi Trokës Faleminderit juve që na pritet!

Kryeministri Edi Rama: Është e para, por nuk është e fundit herë që takohemi. Tani, përveç këtyre premtimeve që dhashë bashkë me mamin për pjesën e fëmijëve dhe të personave me aftësi të veçanta. Unë nuk e kam harruar dhe premtimin që do të të sjell Noizyn të të takojë.

Gersi Troka: Shumë faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit ty! Ky ishte Gersi Troka, kampioni me shumë pasion, me shumë vullnet, por edhe me shumë interes për politikën. Mirupafshim!

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi