Qeveria e Maqedonisë miraton draft-amendamentet e Kushtetutës

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në një konferencë për media ka bërë të ditur se Qeveria ka miratuar draft-amendamentet e Kushtetutës së Maqedonisë, në pajtim me Marrëveshjen e Prespës dhe përfundimeve të Kuvendit të Maqedonisë, të cilat gjatë ditës duhet t’i dorëzojë deri në Kuvend për të vazhduar proceset e mëtejshme.

Siç njoftoi kryeministri i Maqedonisë, amendamenti i parë i referohet emrin aktual të Republikës së Maqedonisë ku do të shtohet shtesa “Veriut”, ndërsa amendamenti i dytë i referohet plotësimeve në preambulën e Kushtetutës, respektivisht vendimet e KAÇKM-së (Këshilli Antifashist i Çlirimit Kombëtar) ndryshohen me shpalljen e KAÇKM-së dhe i shtohet Marrëveshja e Ohrit, si element konstituiv i shtetit.

Amendamenti i tretë dhe i katërt, tha Zaev, i referohen garancive për kufijtë territorial të Maqedonisë, si dhe kujdes për qytetarët e Maqedonisë në diasporë dhe më gjerë.

“Katër amendamentet janë shumë të thjeshta. Ajo që publiku frikësohej se do të ketë ndonjë proces të komplikuar që do të prekë identitetin apo të ngjashme, tani në amendamentet e shpallura ata shqetësime i largojmë plotësisht”, u shpreh Zaev.

Sipas kryeministrit Zaev, i cili njoftoi plotësimet në katër amendamente, ato nuk kanë asgjë kontestuese dhe janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ai po ashtu theksoi se amendamentet meritojnë mbështetjen e të gjithë deputetëve për hir të integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE).

“Jemi duke krijuar një lidhje që edhe vet marrëveshja (e Prespës) e parashikon, në mënyrë që nga Greqia, e cila deri më tani ishte pengesa e proceseve të integrimit në NATO dhe BE, do të kemi një partnerë të fuqishëm, e cila është seriozisht e interesuar për integrimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe BE”, deklaroi Zaev.

Zaev theksoi se në draft-amendamentet e Kushtetutës janë përfshirë edhe propozimet e grupit të ri parlamentar në Kuvend, respektivisht të deputetëve të opozitës VMRO-DPMNE të cilët mbështetën shumicën parlamentare për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese.

Propozimet e opozitës të cilat janë në draft-amandamente, njoftoi kryeministri maqedonas, pjesa e parë është për mbrojtjes e identitetit maqedonase, ndërsa pjesa e dytë është për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Prespës atëherë kur Parlamenti Grek do ta ratifikojë marrëveshjen dhe kur do ta ratifikojë protokollin për anëtarësim në NATO.

“Të gjithë e dimë se as nuk ekziston mundësi për marrëveshje më të mirë, por as edhe për marrëveshje tjetër. Marrëveshja është ‘fair enough’, e ligjshme dhe barabartë për përfitimet e të dyja palëve. Ajo përfundimisht i hap dyert e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s, gjë për të cilën janë të gjitha partitë parlamentare të vendit”, theksoi Zaev.

Ndryshe, ndryshimet dhe plotësimet në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës, e nënshkruar në muajin qershor nga qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë, zbatimi i së cilës është kusht për anëtarësim të vendit në NATO dhe fillim të negociatave për anëtarësim në BE.

Më 19 tetor, Kuvendi i Maqedonisë me dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvend, respektivisht me 80 vota kundër 39, miratoi propozimin për qasje drejt ndryshmeve kushtetuese, pas së cilës parashtrohen draft-amendamentet kushtetuese në Kuvend që komisioni t’i shqyrtojë dhe më pas të miratohen me votimin e shumicës së thjeshtë. Pasi ky hap të kalohet, nevojitet miratimi i ndryshimeve kushtetuese me dy të tretën e votave në Kuvendin e Maqedonisë, që më pas t’i hapet rrugë Parlamentit të Greqisë që të ratifikojë Marrëveshjen e Prespës./Rtv Drita/

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi