“Qeveri dhe Parlament legjitim”, socialistët: Eurodeputetët rrënuan pretendimet e opozitës

Mazhoranca i cilësoi deklaratat e deputetëve të Parlamentit Europian si një rrënim të pretendimeve të opozitës, sa i përket legjitimitetit të zgjedhjeve dhe Parlamentit.

“Parlamenti dhe Qeveria janë legjitime, të zgjedhur me votë dhe problematika e zgjedhjeve nuk i vë ato në pikëpyetje. Përgjimet u takojnë gjykatave”, tha Spiropali.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh zëdhënëse e Qeverisë, foli edhe për reagimet e opozitës ndaj qëndrimeve të europarlamentarëve, duke i krahasuar ato me sulmet që i bëheshin Perëndimit në kohën e diktaturës komuniste.

“Sipas tyre, miqtë e shqiptarëve qenkan turistë me sytë e mjegulluar. Shqiptarët nuk e meritojnë që opozita të sillet me ndërkombëtarët, si të ishte një organizatë e PPSH-së në ndonjë fshat të humbur”, tha më tej Spiropali.

Ndërsa numri dy i socialistëve, Taulant Balla foli nga Belshi për një skenar të përsëritur, që sipas tij mban firmën e Sali Berishës.

“Gjithçka ndodhi më 16 shkurt, gjithçka patë në ekranet e televizioneve, janë një skenar i përsëritur i një simbioze kriminale të Sali Berishës, sa herë që cënohen interesat e tij apo të familjes së tij. Ato pamje që rikthyen në mendjet e shqiptarëve ngjarjet e rënda të viteve 1997-’98 dëmtojnë në radhë të parë ekonominë”, tha Taulant Balla.

Përfaqësuesit e mazhorancës nënvizuan se vijojnë të mbajnë dorën e shtrirë në drejtim të opozitës, me shpresën se pala tjetër do të reflektojë e do të kuptojë se po dëmton vendin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi