Protesta e Lumasit, banorët mësyjnë brenda ish-komunës, policia i nxjerr me dhunë

Protesta e sotme banorëve të fshatit Lumas, pasi ka vazhduar si çdo ditë me bllokimin e rrugës së fshatit dhe përplasjet verbale me policinë, ka vijuar më pas përballë ndërtesës së ish/komunēs së Lumasit.

Banorët janë grumbulluar të gjithë përballë zyrave të ish-komunës ku kanë protestuar fillimisht paqësisht dhe më pas kanë hyrë me forcë brenda për tu takuar me administratorin Arti Çela.

Ata kanë debatuar me administratorin e komunës, që është përpjekur ti qetësojë.

Banorët kanë kërkuar të nxjerrin me forcë nga zyra administratorin e komunës Arti Çela, me pretendimin se ai nuk i përfaqëson dot sepse jo vetëm që nuk po e përçon zërin e tyre por është bërë palë me ata që po i sulmojnë për tu marrë ujin.

Në komunë kanë mbërritur edhe forca të shumta policore, që kanë nxjerrë me forca nga ndërtesa e ish-komunës banorët, të cilët e kanë vijuar protestën e tyre jashtë godinës.

Banorët janë shprehur sërish kundra cënimit të burimit të Sinecit, duke deklaruar se po t’ju marrin ujin atyre ju cënohet jetesa dhe u dëmtohet e shkatërrohet bujqësia e blegtoria.

Banorët deklarojnë se ata nuk do ti ndalin për asnjë ditë protestat e tyre dhe nuk do të lejojnë mjetet e firmës të vijojnë punimet për ndërtimin e ujësjellësit në burimin e Sinecit.

Për dy muaj me radhë banorët e fshatit Lumas vijojnë të ngrenë shqetësimin e tyre në lidhje me një tender të fituar nga një firmë privatë për ndërtimin e një ujësjellësi në këtë zonë, me ujin e burimit natyror të Sinecit.

E ndërsa çështja ka shkuar në gjykatë dhe gjithçka duhej të ishte pezulluar, firma kontraktuese vijon punimet nën mbrojtjen e policise, duke i detyruar banorët të bllokojnë çdo ditë rrugën e kalimit të mjeteve të rënda. Në ndihmë të banorëve ka qënë disa herë edhe ambientalisti Sazan Guri, që ka deklaruar se sipas studimeve hidrike e gjithë zona është e pasur me ujë dhe të gjitha fshatrat Lumasit kanë ujë të mjaftueshëm.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi