Prishtinë, vendosen 4 monitorë për identifikimin e cilësisë së ajrit

Katër monitorë të cilët do të bëjnë identifikimin e cilësisë së ajrit në Prishtinë, janë instaluar dhe përuruar sot në kryeqytetin e Kosovës.

Monitorët janë dhuruar nga JICA (Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar) në kuadër të një projekti bashkëpunues me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, tha se kjo po bëhet në kuadër të përkushtimit për të përmirësuar ajrin në kryeqytet dhe për t’i njoftuar qytetarët në kohë reale me gjendjen e ajrit.

Matoshi tha se me JICA kanë filluar një projekt në vitin 2017 me vlerë rreth 4 milion euro, ndërsa do të vazhdohet deri në vitin 2020.

“Ka pasur shumë angazhime të përbashkëta, siç është riparimi i qendrave të matjes së ajrit. Siç është pajisja e institutit hidrometeorologjik me instrumente matëse të reja. Siç është trajnimi i zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit për çështjen e ndotjes së ajrit. Siç është matja e parametrave të ndotjes së ajrit edhe nga termocentralet tona dhe çështje të cilat më parë nuk ishin edhe aq të njohura edhe për qytetarët”, tha Matoshi.

Përfaqësuesi i zyrës së JICA-s për Ballkan, Jiro Takeichi, tha se rëndësia e çështjes së ndotjes së ajrit në Kosovë është e madhe dhe ka shumë sfida që të përmbushen direktivat e Bashkimit Evropian (BE).

Takeichi tha se për t’u përmbushur këto standarde dhe politika duhet të jenë të bazuara në evidenca ose të dhëna teknike.

“Tani qytetarët kanë mundësi ta dinë indeksin apo treguesin e cilësisë së ajrit në kohë reale dhe ata do të jenë më të vetëdijshëm për sa i përket cilësisë së ajrit. Dhe, mendoj se vetëdijësimi i qytetarëve duhet në njëfarë mënyre ta mbështesë edhe vendimmarrjen e Qeverisë”, tha Takeichi.

Në deklarim për media u tha gjithashtu se qytetarët do të kenë mundësi ta shikojnë ndotjen e ajrit duke u bazuar në disponimin e fytyrës së “smiling”-ut. Në raste kur ajri do të jetë i ndotur në nivel të lartë, ai do të bëhet me ngjyrë të kuqe.

Monitorët të cilët bëjnë matjen e cilësisë së ajrit në kohë reale, treguan se aktualisht në Prishtinë ajri është “moderate” apo i pranueshëm, ku duhet të kenë kujdes vetëm shtresat e ndjeshme që të mos zhvillojnë aktivitete të shumta në ambiente të hapura.

Monitorët janë vendosur në katër pika në qendra të ndryshme të kryeqytetit dhe do t’i ndihmojnë qytetareve në Prishtinë që t’i monitorojnë nivelet e ndotjes së ajrit me SO2, NO, NO2, PM10, PM2.5, O3 dhe CO.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi