Në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike u shqyrtua sot projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.
Deputetja e Partisë Socialiste, Erjona Ismaili, e cila prezantoi projektligjin nënvizoi se qëllimi i tij “është forcimi i integritetit dhe paanshmërisë së zyrtarëve publikë, garantimi i ushtrimit objektiv të funksioneve publike, dhe parandalimi i çdo ndikimi të interesave private në vendimmarrjen publike, duke ngritur një kuadër të unifikuar ligjor për identifikimin deklarimin kontrollin dhe zgjidhjen e situatave të konfliktit të interesit”.
Duke u ndalur tek objektivat e përgjithshme, Ismaili theksoi se synohet që të sigurohet ushtrimi i paanshëm dhe objektiv i funksioneve publike, duke shmangur ndikimin e interesave private në vendimmarrjen e zyrtarëve publike.
Gjithashtu, sipas saj, synohet “të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë publike përmes deklarimit të detyrueshëm të interesave private dhe detyrimit të zyrtarëve për t’i shmangur situata e konfliktit.
“Të parandalojë dhe zgjidhë konfliktet e interesit me masa të qarta ligjore, procedura të zbatueshme dhe sanksione administrative efektive. Të harmonizojë legjislacionin shqiptar me standardet evropiane dhe rekomandimet e GRECO”, parashtroi ajo disa nga synimet e tjera.
Ismaili theksoi se “ky projektligj vjen në harmoni me legjislacionin ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e qeverisjes së mirë, të etikës së administratës publike, parandalimit të korrupsionit, transparencës institucionale, të cilat përbëjnë themelore të kritereve të anëtarësimit dhe kapitujt të negociatave”.
“Kapitulli 23 kërkon masa të forta kundër korrupsionit, mekanizma funksionale për parandalimin e konfliktit të interesit, deklarim transparent i interesave dhe pasurive dhe struktura të pavarura mbikëqyrëse. Projektligji është në përputhje të plotë me këto kërkesa”, tha Ismaili.
Ismaili theksoi se projektligji harmonizohet me direktivën e BE-së për transparencën.
“Dispozitat që trajtojnë konfliktin aktual potencial dhe të dukshëm të interesit, detyrimet për deklarim dhe masat parandaluese janë të njëjtat me praktikat e Bashkimit Evropian”, tha ajo.
Sipas saj “projektligji vendos parimin e paanësisë, transparencës, dhe proporcionalitetit dhe përcakton qartë detyrimet e zyrtarëve në çdo kategori, qeveritare, gjyqësore, ekzekutive dhe rregullatore”.
Ismaili tha se projektligji vendos një regjim të njëtrajtshme etik për të gjithë sektorin etik, ndërsa shtoi se “forcon rolin e ILDKPI-së si organ kontrolli me kompetenca të zgjeruara”.
“Projektligji pritet të ketë efekt ekonomik pozitiv afatgjatë”, tha Ismaili.


