Bujqësia do të përfitojë rreth 16,3 miliardë lekë në vitin 2026. Krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2025, ky sektor do të përfitojë rreth 1,3 miliardë lekë më shumë.
Ministri Malaj bëri të ditur se ndër prioritetet kryesore që parashikohet të financohen për bujqësinë janë Skema kombëtare e fermerëve dhe e subvencionimit të naftës, me një fond total 5,14 miliardë lekë në vitin 2026, i cili parashikohet me rritje rreth 700 milionë lekë krahasuar me buxhetin 2025, duke shënuar kësisoj mbështetjen më të madhe direkte deri tani të akorduar nga buxheti i shtetit për këtë qëllim.
Njëkohësisht, përmes Paketës Fiskale që do të paraqitet këtë javë në Komision, fermerët do të përfitojnë edhe minimalisht rreth 1,5 miliardë lekë nga skema e kompensimit prej 10% të TVSH.
Gjithashtu, fermerëve do të vijojë t’u ofrohet mundësia e përfitimit nga Garancia Sovrane, me një fond total prej 3 miliardë lekësh, nëpërmjet kredive që do të jepen nga bankat e nivelit të dytë.
Në fushën e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit synohet fuqizimi i sistemit të kontrollit dhe inspektimit, duke përfshirë të gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma, në tavolinë.
Lidhur me menaxhimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, Malaj tha se në vëmendje do të jetë rehabilitimi i kanaleve ujitëse dhe investimet në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja, nëpërmjet rehabilitimit/ndërtimit të argjinaturave mbrojtëse, me një fond total prej 2,6 miliardë lekë, nga të cilat 1,15 miliardë janë fonde të caktuara për bashkitë.


