Policia Turke vazhdon trajnimet për Policinë e Shqipërisë

Drejtoria e Policisë së Republikës së Turqisë vazhdon kurset e trajnimit për punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë dhe të drejtorive vendore në fusha të ndryshme.

Në ceremoninë e organizuar gjatë ditës së sotme në Tiranë në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë me rastin e përfundimit të kursit me temë: “Trajnimi mbi teknikat e intervistimit dhe të marrjes në pyetje” ishin të pranishëm, zëvendësambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, dekani i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, Ilirjan Mandro, përfaqësuesit e Policisë Turke, etj.

Mandro, duke folur në aktivitet, pasi falënderoi përfaqësuesit e ambasadës së Turqisë në Tiranë theksoi se ky është kursi i parë i një vargu të gjatë kursesh që do të zhvillojnë në vazhdimësi.

“Në të njëjtën kohë që ne bëjmë këtë ceremoni dhe në Ankara po bëhet një ceremoni tjetër, ku po trajnohen dhe certifikohen specialistë në fushën e terrorit. Kjo dëshmon dhe një herë për lidhjen dhe bashkëpunimin që kemi ndërmjet dy policive”, deklaroi Mandro.

Në këtë aktivitet mbajti një fjalë përshëndetëse edhe zëvendësambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, duke u ndaluar në bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mbështetjen e ofruar nga Turqia për Policinë e Shqipërisë.

“Interesi jonë është që të kemi marrëdhënie të mira në të gjitha fushat. Ne i japim rëndësi të posaçme marrëdhënieve në fushën e rendit dhe sigurisë. Është fat që marrëdhëniet mes drejtorit të policisë shqiptare dhe policisë turke janë në nivel të shkëlqyer. Ne ju shohim ju si miq dhe si vëllezër, pra botëkuptimi jonë është që siguria e Turqisë është njësoj siç është siguria në Shqipëri, nuk mund të jemi njëra palë e sigurtë pa qenë edhe tjetra. Krimi i organizuar i kapërcen kufijtë, krimi mund ta ketë fillimin në Shqipëri dhe mbaron në Turqi dhe anasjelltas. Ne kemi pasur dhe rezultatet e këtij bashkëpunimi sa i përket luftës së përbashkët kundër kriminalitetit në fushën e narkotikëve”, tha Cem Baş.

Duke folur për bashkëpunimin në të ardhme në fushën e sigurisë, Cem Baş theksoi se gjatë vitit 2018 do të realizohen rreth 20 kurse në fushën e sigurisë.

“Jemi dy kombe që kuptohemi me njëri-tjetrin dhe gjatë vitit 2018 do të jenë 20 kurse në fushën e sigurisë. Një pjesë e madhe e tyre do të kryhet dhe në Turqi. Shpresoj që këto kurse të jenë me interes dhe të kenë shërbyer për rritjen aspektin profesional. Siguria e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkan, do të thotë siguri e Ballkanit”, tha zëvendësambasadori i Turqisë në Tiranë.

Pjesë e kursit “Trajnim mbi teknikat e intervistimit dhe të marrjes në pyetje” ishin 20 punonjës të Policisë së Shqipërisë dhe zgjati 1 javë, me trajnues dy punonjës të Departamentit Kundër Krimit të Organizuar të Policisë Kombëtare Turke.

Policia e Turqisë ka ofruar vitet e fundit vazhdimisht trajnime me tema të ndryshme për oficerët dhe punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, në lidhje me metodat e luftës kundër terrorizmit, hetimin kundër krimit të organizuar, konceptet themelore të inteligjencës, etj./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi