Policia e Shtetit ka intensifikuar veprimtarinë e saj në të gjithë vendin, për të parandaluar krimin, kapur personat e shpallur në kërkim dhe garantuar sigurinë e qytetarëve.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë muajit shtator operacionet kanë përfshirë të 12 qarqet e Shqipërisë, duke u fokusuar veçanërisht në garantimin e sigurisë së nxënësve pas fillimit të vitit shkollor dhe përmbylljen me sukses të sezonit veror.
Gjatë muajit shtator Policia ka realizuar finalizimin e 82 operacioneve, duke arrestuar 527 të dyshuar për krime; kapjen e 16 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar; asgjësimin e mbi 10 mijë fidanëve kanabis dhe sekuestrimin e armëve e lëndëve narkotike.
Ndër operacionet më të spikatura, ku u goditën 4 grupe kriminale janë: Operacioni “Tempulli 4” në Tiranë, ku u arrestuan 15 persona për shitje lëndësh narkotike. Operacioni “No chance”, që çoi në arrestimin e 8 personave për falsifikim dokumentesh. Operacioni “Electronics”, që përfshiu kapjen e 4 shtetasve kinezë të akuzuar për kontrabandë dhe lojëra fati.
Policia gjithashtu parandaloi përshkallëzimin e dy konflikteve të armatosura në Vlorë dhe zgjidhi me sukses disa raste të krimeve të rënda në vend, përfshirë zbardhjen e dy vrasjeve në Durrës dhe Shkodër.
Sa i takon sigurisë rrugore, Policia njofton se, janë vënë në pranga 148 drejtues mjetesh, nga të cilët 101 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 47 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Po ashtu, janë pezulluar 445 leje drejtimi, nga të cilat 127 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 67 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 251 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.