Personat me aftësi të kufizuara kërkojnë rritje të pensioneve, paralajmërojnë protesta

Përveç diskriminimeve që u bëhen në shkollim, punësim e në shumë sfera tjera, personat me aftësi të kufizuara, së fundmi po diskriminohen nga shteti edhe në pensionet të cilat u takojnë.

Që nga viti 2009 prej kur edhe ishte miratuar ligji për përkrahjen e personave me aftësi të kufizuara, asnjëherë nuk ka pasur rritje të kësaj skeme pensionale. Këta të fundit nuk janë përfshirë edhe në rritjen e fundit, për çka po konsiderohet edhe si diskriminim.

Kryetari i Organizatës Forumi kosovar i aftësisë së kufizuar, Bujar Kadriu për KosovaPress thotë se të drejtën e cila po u garantohet me ligj, personave me aftësi të kufizuara po ua mohon vet shteti.

Edhe para se të miratohej buxheti për vitin 2019, ai thotë se u kishte dërguar kërkesë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Financave, që këta të fundit të përfshihen në këtë rritje, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

“Sipas ligji 04L-131, ka pasur një rritje të pensioneve prej 20 edhe 15 për qind, ku personat me aftësi të kufizuara si shfrytëzues të kësaj skeme pensionale, fatkeqësisht nuk kanë pasur kësi lloj rritje dhe përveç se nuk kanë pasur rritje, prej vitit 2014, këta persona thjesht nuk kanë shfrytëzuar këtë të drejtë elementare që u garanton ligji, dhe mekanizmat tjerë ligjor. Prandaj pakënaqësitë e tyre janë reflektu me të drejtë, dhe ne si organizatë ombrellë e personave me aftësi të kufizuara kemi reaguar tek ministritë përkatëse, konkretisht tek Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe tek Ministria e Financave, ku deri më tani nuk kemi marrë ndonjë përgjigje, në lidhje me këtë shqetësim të këtij komuniteti”, thotë ai.

Kadriu thotë se kjo kategori është diskriminuar shumë në këtë rast, e sipas tij, këta të fundit çdo ditë përballen me vështirësi të ndryshme për mbijetesë.

Ai nuk përjashton edhe mundësinë e protestave, nëse organet kompetente nuk reflektojnë ndaj kërkesave të tyre.

“Nuk i përjashtojmë mundësitë, nëse nuk reflekton Ministria e Punës dhe Ministria e Financave, konkretisht Qeveria e Kosovës, në mënyrë pozitive, tek shfrytëzuesit e kësaj skeme. Ne thashë më herët do ti shfrytëzojmë të gjitha kanalet ligjore, duke përfshirë avokatin e popullit dhe mekanizma tjerë kushtetues, ne do ti përfshijmë në rast se Qeveria e Kosovës nuk reflekton deri në realizimin e këtyre kërkesave që janë legjitime, mendojmë që nuk i përjashtojmë edhe mundësitë protestave të mundshme të cilat janë legjitime”, shton Kadriu.

Kadriu thotë se këto rritje të pensioneve më shumë janë politike se sa të nevojave të shfrytëzuesve të kësaj skeme pensionale.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi