Përgjimet e dosjes 339, gazetarja: Ja gabimi që bëri Donika Prela

Gazetarja Klodiana Lala komentoi pak më parë daljen e parë publike të drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela në lidhje me 6 përgjimet e publikuara të mërkurën nga gazeta gjermane “Bild” në lidhje me dosjen 339.

Ndërsa në daljen e saj për mediat, Prela e konsideroi këtë si dosjen më të madhe që ka patur prokuroria shqiptare në historinë e saj, Lala tha se ajo gabohet, duke përmendur një tjetër rast.

“Zonja Prela gaboi kur tha se kjo ishte dosja më e madhe e hetuar nga Krimet e Rënda. Si dosja më e madhe është konsideruar ajo e kërpit të Shkrelit ku u mor gjithë fshati si i pandehur”,- tha Lala.

Më tej, duke u fokusuar tek hetimi për nxjerrjen e sekretit hetimor, Lala tha se një gjë e tillë i takon Prokurorisë së Tiranës dhe jo asaj për Krime të Rënda.

Sa për prokurorët që kanë dosjen në hetim, Lala u shpreh se për 2 vite ajo ka qenë në duart e Besim Hajdarmatës, derisa Arta Marku e transferoi në Pogradec, e dosja i kaloi prokurorëve aktualë Dritan Prençi e Vladimir Mara.

Gjatë fjalës së saj, Lala tha se zonja Prela shfaqi pamundësinë që ka organi që ajo drejton për të transkriptuar të gjitha përgjimet e dosjes.

“Ajo tregoi se Krimet e Rënda kanë pamundësi për të transkriptuar përgjimet ambientale dhe telefonike, ndaj edhe nuk janë vënë para përgjegjësisë personat që kanë kryer vepër penale”, shtoi Lala.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi