Përfaqësuesit serbë të Kosovës takojnë Vuçiçin dhe udhëheqësit e energjetikës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç zhvilloi ditën e sotme përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, me të cilët arriti konkluzione për “veprim të përbashkët” në “ruajtjen e të gjitha interesave jetike kombëtare në Kosovë dhe interesave më të rëndësishme të Serbisë”. Këtë detaje u bën të ditura nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë.

“Publiku do të informohet për të gjitha konkluzionet konkrete në 72 orët e ardhshme, pas konsultimeve shtesë me të gjithë përfaqësuesit e popullit serb në Kosovë, si dhe me përfaqësuesit përkatës të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Aty nuk sqarohet se cila ka qenë tema e takimit, por gjykuar nga pjesëmarrësit mund të supozohet se është biseduar për situatën pas fillimit të punës së pavarur të sistemit energjetik të Kosovës.
Në takim morën pjesë ministrja e Energjetikës dhe Minierave e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, drejtori i ndërmarrjes publike “Elektroprivreda Srbije“, Millorad Gërçiq, dhe drejtorja e ndërmarrjes “Elektromreza Srbije”, Jellena Matejiq.

Nga dita e hënë (14 dhjetor), Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor.

Marrëveshja ka hyrë në fuqi më 29 shtator. Siç ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Nebih Zariqi, anëtar i bordit të KOSTT-it, menjëherë pas fillimit të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova i ka importuar nga ky shtet.

Këta megavatë të bllokuar nga Serbia, pastaj, janë zëvendësuar me një marrëveshje të arritur ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut për furnizim nga kapacitetet energjetike të këtij shteti. Njohësit e fushës së energjisë në Kosovë kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ky pavarësim i sistemit energjetik të Kosovës ka elemente pozitive, por nuk përfshin zbatimin e marrëveshjes për pjesën e veriut të Kosovës dhe të sigurimit që ajo pjesë të integrohet në tregun energjetik të Kosovës.

Qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), që nga përfundimi i luftës më 1999, nuk i kanë paguar faturat e energjisë elektrike, edhe pse janë furnizuar nga Kosova, e sipas nevojës edhe nga Serbia.
Megjithatë, qytetarëve në veri iu shkojnë faturat për energjinë elektrike nga “Elektrokosmet” i Serbisë, kompani të cilën Kosova e konsideron ilegale.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi