Përcaktohet data e samitit historik midis dy Koreve

 

 

Udhëheqësit e Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut do të mbajnë samitin e parë në mbi një dekadë, më 27 prill. Bisedimet mes Kim Jong-unit të vendit komunist dhe presidentit koreano-jugor, Moon Jae-in, do të zhvillohen në fshatin kufitar të Panmunjomit, sipas asaj që njoftohet përmes një deklarate të përbashkët.

Data është njoftuar pasi zyrtarë të të dyja palëve u takuan për të diskutuar mbi përgatitjet e samitit. Njoftimi vjen një ditë pas lajmit se Kim Jong-un kishte zhvilluar bisedime me presidentin kinez, Xi Jinping, pas një vizite ekstremisht të rrallë të kreut të Veriut jashtë territorit të vendit të tij, që prej ardhjes në pushtet.

Gjatë takimit në Pekin, udhëheqësi koreano-verior përsëriti ofertën e tij për denuklearizimin e gadishullit Korean. Ai tha gjithashtu se mezi pret të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, me këtë të fundit që e ka pranuar ftesën, ndërsa takimi mund të ndodhë brenda muajit maj.

Delegatë të Veriut dhe Jugut thanë se samiti ndërkorean do të mbahet në “Shtëpinë e Paqes” në Korenë e Jugut, që ndodhet në fshatin kufitar të Panmunjomit, i njohur ndryshe edhe si “fshati i paqes”.

Në konferencën për shtyp, gjatë së cilës u njoftua data e samitit, kryedelegati i Koresë së Jugut, Ri Son Gëon tha se, “përgjatë 80 ditëve të fundit, pak a shumë, shumë zhvillime që kanë qenë të paprecedenta në marrëdhëniet ndërkoreane janë bërë realitet”.

Kjo do të jetë hera e tretë në histori që udhëheqësit e dy Koreve do të takohen me njëri-tjetrin, që kur u nënshkrua armëpushimi që i dha fund luftës koreane të vitit 1953. Samiti i fundit është mbajtur në vitin 2007, mes ish-kreut koreano-verior Kim Jong-il dhe ish-presidentit koreano-jugor, Roh Moo-hyun, në Penian. Edhe samiti i parë ishte mbajtur po në Penian në vitin 2000.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi