4.5 C
Tirana

Peleshi: Mazhoranca respekton institucionet e reformës së drejtësisë

Më datë:

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi u shpreh sot se, mazhoranca respekton institucionet e reformës së drejtësisë.

Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit, Peleshi tha se, “ka një libër, quhet Why Nations Fail (Pse dështojnë kombet). Por është edhe një tjetër i tre ekonomistëve që fitoi çmimin Nobel këtë vit, i cili ka demonstruar përmes një studimi se rritje ekonomike, ndryshim dhe progres, nuk mund të ketë pa institucione. Kaq thjeshtë është. Ne i përkasim kësaj qasjeje moderniste, europianiste”.

“Ne jemi për institucione, jemi për të respektuar institucionet, edhe kur ato, si në rastin e institucioneve të reformës në drejtësi, institucionet e reja të drejtësisë, jo gjithmonë prodhojnë lajme të mira për ne”, tha Peleshi.

Pra, iu drejtua ai deputetëve të opozitës, “ndërsa ju, një herë e quani SPAK, një herë e quani SKAP. SPAK kur ju intereson të mbroni veten tuaj dhe SKAP kur ju intereson të kapitalizoni mbi rastet që mund të jenë nga radhët e mazhorancës. Këto janë dy standardet në raport me institucionet që ne na ndajnë”.

“Kjo është një diferencë shumë e madhe që ne kemi me ju. Ne mundohemi të ndërtojmë mbështetje politike mbi bazën asaj që i bashkon qytetarët, ndërsa ju doni të ndërtoni mbështetje politike mbi bazën e urrejtjes. Ju nxisni një urrejtje në çdo fjalë, në çdo fjalim”, theksoi Peleshi.

“Nga kjo foltore keni si synim të bëni sa më shumë të pa kënaqur, të nxisni sa më shumë ndarje – ndarje të skajshme – ndarje ndërmjet qytetarëve, dhe të kapitalizoni mbi atë ndarje. Ne ndërtojmë mbi respektin për njeriun, qoftë ai punëtor apo sipërmarrës, ndërsa ju ndërtoni mbi depersonalizimin. Nuk e keni problem të përmendni emra njerëzish – si investitorësh, sipërmarrësish, bashkëkombësish apo të huaj – dhe t’i shpallni fajtorë, hajdutë, kriminelë”, deklaroi Peleshi.

“Po ku e gjeni ju të drejtën që të bëni edhe prokurorin, edhe gjykatësin, edhe – larg qoftë – siç e keni bërë në vite, edhe ekzekutorin? Kjo është ajo që na ndan. Ne ju besojmë institucioneve. Ua lëmë institucioneve punën që u takon atyre, në këtë rast reformës në drejtësi”, tha Peleshi.

“Ju doni të bëni gjithçka vetë. Doni t’i shpallni vetë hajdutët, kriminelët, banditët dhe – larg qoftë, siç thashë – edhe t’i ekzekutoni”, iu drejtua ai deputetëve të opozitës.

Peleshi u shpreh se mazhoranca ndahet nga opozita edhe në raport me territorin.

“Trashëguam nga ju një Shqipëri, mbi trupin e së cilës kishte 450 mijë ndërtime pa leje që inkurajoheshin çdo ditë nga ju, si energjia e qytetërimit. Dhe zaptimi u kthye në një moral – një moral i ri i shoqërisë”, tha Peleshi.

“Ndërsa ne jemi për një Shqipëri të pastër, të bukur, të urbanizuar, të rregullt. Sot Shqipëria nuk bën lajm për keq. Sot Shqipëria bën lajm për mirë në gjithë botën. Ndaj edhe në gazeta, revista ndërkombëtare, portale, Shqipëria sot është bërë një vend për t’u vizituar, për të investuar. Nuk është rastësi”, u shpreh Peleshi.

“Asgjë nuk është rastësi që në Shqipëri ka miliona turistë. Nuk është rastësi që buxheti është trefishuar në 10 vitet e fundit. Nuk është rastësi që ekonomia shqiptare është dyfish më e madhe se në vitin 2013. Këto janë rezultatet e këtyre qasjeve që ju mund t’ju duken si akademike, por në fakt janë politike. Ndarja jonë është politike”, tha ai.

“Luga juaj nuk mund të çonte dot një Shqipëri dyfish më të madhe ekonomikisht. Luga juaj nuk mund të çonte dot një buxhet trefish më të madh. Sepse që të shkosh aty, duhet të ndërmarrësh reforma; që të ndërmarrësh reforma, duhet të pranosh kosto në afat të shkurtër dhe përfitime në afat të gjatë”, shtoi Peleshi.

“Në 2013, vetëm 54% e popullsisë kishte qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore. Sot, 93%. Në 2013, buxheti për shëndetësinë ishte 36,4 miliardë lekë; sot është 80 miliardë lekë. Ju flisni për 8,2 miliardë euro buxhet që po shpërndahet dhe harroni se si u krijua ky buxhet 8,2 miliardë? Sepse ne nuk trashëguam një buxhet 8,2 miliardë; trashëguam një buxhet tre herë më të vogël dhe 750 milionë euro borxh”, u shpreh ai.

Në vitin 2013, nënvizoi Peleshi, “80% e pajisjeve shëndetësore dhe mjekësore në shëndetësi ishin të amortizuara; ishin shkaku i mijëra infeksioneve dhe sëmundjeve të njerëzve që shkonin për t’u shëruar dhe dilnin të sëmurë nga spitali”.

Sot, tha Peleshi, “70% e tyre janë pajisje të reja. 20 miliardë lekë janë investuar në këto vite”.

“Kjo është e vërteta. Ju e keni kthyer checkup-in dhe sterilizimin si dy fjalë me konotacion negativ. E kundërta është e vërtetë: checkup-i ka siguruar kontrolle falas për 1.5 milionë shqiptarë dhe sterilizimi ka mundësuar uljen drastike – me 10-fish – të infeksioneve në spitale. Kjo është e vërteta”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PS-së.

“Pastaj, gërmimet për procedura për të gjetur fajtorin, për ta çuar para gjykatës, për t’i bërë gjyqin e kështu me radhë, kjo nuk është detyra juaj. Dhe kjo nuk është një akuzë. Sot është një gjë shumë e rëndë që thuhet në këtë sallë. U tha që ne synojmë ta kthejmë këtë sallë në një gjyq publik. Pra, ju e thoni me zë dhe figurë. E thoni me zë të lartë. E thoni me zë të lartë se synoni që të bëni një gjyq publik për shqiptarët dhe të na ktheni në kohën e persekutimeve politike dhe e keni kthyer në avantazh faktin që mund të thoni fjalën e fundit për këdo që ju del përpara”, tha Peleshi.

“I thashë këto fjalë për të treguar, dhe janë vetëm një pjesë e asaj që na ndan. Jemi dy qasje të ndryshme politike. Jemi dy sisteme vlerash të ndryshme. Lajmi i keq për ju dhe i mirë për ne është se këtë shqiptarët e kuptojnë. Ka që thjeshtë është, prandaj Partia Socialiste fiton dhe do të fitojë përsëri”, përfundoi fjalën e tij, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Telefoni më i hollë i palosshëm në botë gati për treg

Ka pasur thashetheme që qarkullojnë se Oppo Find N5...

Dortmund vijon “rënien e lirë”, Nuri Sahin në “fije të perit”

Nuk ka “paqe” për Dortmund, me verdhezinjtë që përballë...

Hasude me Arra

Një ëmbëlsirë fantastike, me një shije të veçantë është...

Zbulohet dinamika e re astronomike

Plutoni ka patur një impakt të butë me Carontin,...