Sot nisi edicioni i 10-të i Shkollës së Integrimit Evropian, që organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), Delegacionin e Bashkimit Evropian dhe Fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung”.
Në ceremoninë hapëse përshëndeti edhe Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili u shpreh se ky edicion jubilar shënon një moment të veçantë.
“Kanë kaluar plot 10 vite që kur u hodhën hapat e parë të kësaj nisme. Sot mund të themi se shkolla e Integrimit Evropian është kthyer në një traditë të konsoliduar për Kuvendin e Shqipërisë me mbi 350 alumni, të cilët sot japin kontributin e tyre në fusha të ndryshme.
Kjo shkollë lindi një dekadë për të mbështetur përgatitjen e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe vazhdon të ofrojë një kuadër të vlefshëm teorik dhe praktik për çështjet evropiane.
“Vetë fakti se edicioni i sivjetshëm ka tërhequr një numë rekord aplikimesh 430 aplikime, 2 herë më shumë se vitin e kaluar flet shumë për suksesin dhe rëndësinë e këtij programi”, tha Peleshi.
Kryeparlamenti Peleshi theksoi se, “integrimi evropian nuk është thjesht një objektiv strategjik i shtetit, por është një proces gjithëpërfshirës i shoqërisë sonë”.
“Ai kërkon angazhimin e të gjithë shoqërisë dhe mbështetje institucionale në çdo nivel”, tha Peleshi.
“Asnjë institucion i vetëm nuk mund të çojë përpara këtë proces pa pjesëmarrjen aktive të faktorëve të tjerë nga administrata publike dhe shoqëria civile, media e deri tek komuniteti akademik dhe sipërmarrja”, nënvizoi Peleshi.
Peleshi nënvizoi rolin e Kuvendit si bashkëthemelues i kësaj shkolle, së bashku më partnerët ndërkombëtarë.
“Kuvendi mbetet një partner i palëkundur i çdo reforme që lidhet me procesin e integrimit”, tha Peleshi, teksa shtoi se, “Kuvendi ka ofruar mbështetje të vazhdueshme politike dhe institucionale për këtë nismë”.
Peleshi theksoi se, ‘Kuvendi do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim në këtë drejtim, duke ushtruar funksionin e vet mbikëqyrës dhe ligjvënës për t’u siguruar që reformat e dakordësuar për integrim të zbatohen plotësisht”.
Kreu i Kuvendit theksoi se, rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE është aspirata jonë kombëtare e kahershme.
Sot, shtoi ai, “kjo aspiratë është më konkrete se kurrë. Shqipëria ndodhet tashmë në fazën historike të negociatave të anëtarësimit pas hapjes zyrtare të tyre. Jemi duke punuar çdo ditë për ta bërë realitet anëtarësimin. Ky progres na mbush me optimizëm por njëkohësisht na kujton përgjegjësinë që kemi përpara”.
“Integrimi evropian nuk është dhuratë, por është rezultat i reformave të thella dhe punë së palodhur”


