Partia Demokratike publikoi dokumentin e prokurorisë greke, në lidhje me dënimin me tre vjet burg në Greqi para dhjetë vitesh, të kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj.
“Sipas vërtetimit me nr. protokollit 405, datë 2 janar 2020, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë , Edi Rama i Mallakastres, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me tre vjet me burgim nga Gjykata e Kios, më 25 shkurt 2000. Ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin, për shkak të mosgjetjes në territorin grek”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, duke paraqitur dokumentin origjinal të Prokurorisë së Shkalles së Parë Athinë.
Zoti Bardhi, deklaroi se sipas ligjit të dekriminalizimit, Ismailaj nuk mund të ushtroje asnjë funksion publik, aq më pak të jetë kandidat për kryetar bashkie. Ai është subjekt ndalimi sipas ligji dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht, për falsfikimin e formularit të dekriminilazimit, theksoi Gazment Bardhi.
Partia Demokratike i ka dërguar një kërkesë Prokurorisë, për të hetuar në lidhje me figurën e kreut të Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj.
Ismailaj, i zgjedhur nga votimet moniste të 30 qershorit, është i katërti kryebashliak nga radhët e Partisë Socialiste, i akuzuar nga demokratët pas Valdrin Pjetrit (Shkodër, u tërhoq pa marrë detyrën), Agim Kajmakut (Vorë, i shkarkuar nga KQZ-ja dhe në kërkim nga policia pas mandatit të arrestit) dhe Mark Babanit (Vau i Dejës, ende në detyrë).
Pas denoncimit nga ana e PD-së, reagoi kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj.
““Përshëndetje dhe njëherë të gjithëve!
Do të doja që përsëri të sqaroja opinionin lidhur me deklaratat e bëra nga ana e PD ditën e sotme:
1- Theksoj përsëri se për kohën që kam jetuar dhe punuar si emigrant ekonomik në Greqi nuk jam arrestuar, ndaluar apo deportuar asnjëherë nga policia greke!
2- Lidhur me shkresat e paraqitura sot nuk kam pasur dijeni sepse po të kisha, fare thjesht do t’i deklaroja në formularin e dekriminalizimit, pasi vepra dhe koha për të cilën presupozohet të jem i dënuar nuk është në kushtet që të më pengonte kandidimin apo ushtrimin e detyrës dhe për këtë qëllim do të ndjek çdo rrugë ligjore për zbardhjen e së vërtetës si këtu ashtu dhe në Greqi!
3- Lidhur me pretendimin se nuk është kryer dënimi i presupozuar pasi nuk më kanë gjetur, theksoj se kam udhëtuar me dhjetëra herë në Greqi dhe jo vetëm dhe asnjëherë në asnjë pikë kufitare nuk më është refuzuar hyrja apo për më tepër që të jem ndaluar!
4- Në periudhën kur ka dalë ky i ashtuquajtur vendim kam punuar mësues në shkollën “I.Shehu” Çorrush si dhe në 12 tetor 2000 jam zgjedhur kryetar i komunës Kute.
5- Përbuz me neveri çdo etiketim të bërë nga ana e PD ndaj meje, pasi nuk kam kryer asnjë veprimtari të jashtëligjshme (por mund të më kenë ngatërruar me personazhet kriminelë, hajdutë apo trafikantë që mund t’i ketë pasur apo mund t’i ketë akoma në gjirin e saj)!
Së fundmi jam i bindur se e vërteta dhe ndershmëria do të triumfojë mbi gënjeshtrën, hajdutërinë, trafikantët apo mashtruesit!
Ju faleminderit dhe klm!”–
Të bën përshtypje fakti që, kjo përshëndetje në formë deklarate e kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, ngjan si dy pika uji me deklaratat dhe përshëndetjet e tre kryebashkiakëve të parë të denoncuar nga Partia Demokratike.