PD: Banda e Shullazit mbështetje nga qeveria, dënimi duhet të ishte më i rëndë

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin ditën e sotme për Emiljano Shullazin, duke e dënuar me 14 vite burg për gjobvënie dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.

Mbi këtë vendim ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila në një deklaratë për mediat thotë se “nëse Emiljano Shullazi dhe banda e tij, nuk do të kishin mbështetjen e Qeverisë së Edi Ramës, dënimi i bandës do të ishte sot shumë më i rëndë. Ata nuk do të ishin dënuar vetëm për gjobëvënie, por edhe për krime të tjera të rënda, që janë lënë pa zbuluar, pasi policia dhe drejtësia kanë mbyllur sytë”.

Më tej në deklaratë thuhet se “kjo bandë është autore e disa vrasjeve, e trafikut të drogës, shkatërrimit të pronës me eksploziv, grabitjes së pasurive të paluajtshme”. “Në vend të dënimit të merituar, Edi Rama i ka dhënë pushtet edhe në burg Emilano Shullazit për të emëruar deputetë, drejtues të institucioneve vendore e qendrore. Dënimi i bandës së Shullazit është një betejë ende e pafituar plotësisht. Prapa hekurave duhet të jenë edhe anëtari me pushtet politik i bandës, deputeti i PS Jurgis Çyrbja. Përgjimet e prokurorisë faktojnë se deputeti Jurgis Çyrbja ishte një anëtar aktiv I bandës së Shullazit dhe informonte bandën për hetimet e prokurorisë. Shqiptarët presin sot përgjigje nga prokuroria: kur do të arrestohet dhe të vihet përpara drejtësisë Jurgis Çyrbja, si anëtar i bandës së Emiljano Shullazit?”.

PD thotë se “Edi Rama, Saimir Tahiri dhe Jurgis Çyrbja, shumë shpejt do të kenë fatin e Shullazit”.

“Po Edi Rama dhe Saimir Tahiri a do të hetohen dhe të vihen përpara përgjegjësisë për mbështetjen shtetërore që i kanë dhënë bandës së Emiljano Shullazit? Drejtësia do të bëhet e plotë! Edi Rama, Saimir Tahiri dhe Jurgis Çyrbja, shumë shpejt do të kenë fatin e Shullazit!”/Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi