Të paktën 30 persona kanë mbetur të plagosur pasi një tërmet me magnitudë 7.5 goditi Japoninë verilindore të hënën në mbrëmje, duke detyruar mijëra njerëz të evakuojnë shtëpitë e tyre.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se tërmeti ndodhi në orën 23:15 (sipas orës lokale) në një thellësi prej 50 km, rreth 80 km larg bregut të rajonit Aomori. Ai shkaktoi paralajmërime për cunami, të cilat tashmë janë hequr, ndërsa u regjistruan valë deri në 70 cm.
Siç shkruan BBC, pas tërmetit disa shërbime trenash u pezulluan dhe mijëra shtëpi mbetën pa energji elektrike. Autoritetet paralajmëruan se në ditët në vijim mund të ndodhë një lëkundje më e fortë, duke u kërkuar qytetarëve të qëndrojnë në gatishmëri të lartë për të paktën një javë.
Duke iu drejtuar qytetarëve të prekur nga tërmeti, kryeministrja japoneze Sanae Takaichi tha: “Rikonfirmoni përgatitjet tuaja të përditshme për tërmetet, si sigurimi i mobiljeve, dhe përgatituni të evakuoheni menjëherë nëse ndjeni lëkundje.”
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, u dhanë urdhra evakuimi për rreth 90 mijë banorë. Qeveria e prefekturës Aomori raportoi se rreth 2 mijë e 700 shtëpi kanë mbetur pa energji, ndërsa kompania East Japan Railway pezulloi disa shërbime përgjatë bregut verilindor.
Sekretari i kabinetit, Minoru Kihara, tha se qeveria japoneze ka ngritur një zyrë reagimi brenda qendrës së menaxhimit të krizave të kryeministrit dhe ka thirrur një ekip emergjence. “Po bëjmë çdo përpjekje për të vlerësuar dëmet dhe për të zbatuar masa të menjëhershme reagimi ndaj fatkeqësive, përfshirë operacionet e shpëtimit dhe ndihmës,” shtoi ai.
Pas lëkundjeve, kompania elektrike Tohoku Electric Power njoftoi se nuk u raportuan parregullsi në centralet bërthamore Higashidori dhe Onagawa. Autoritetet japoneze konfirmuan gjithashtu se nuk u zbuluan probleme në centralin e dëmtuar bërthamor të Fukushimës, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.
Sjellim ndërmend se Fukushima u dëmtua rëndë kur një tërmet me magnitudë 9.0 goditi bregun lindor të vendit më 11 mars 2011. Ai ishte tërmeti më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë në Japoni, duke shkaktuar një cunami që përfshiu ishullin kryesor Honshu, vrau mbi 18 mijë persona dhe fshiu nga harta të tëra qytete.
Japonia është një nga vendet më të prirura ndaj tërmeteve në botë. Ajo ndodhet në “Unazën e Zjarrit” dhe si rezultat përjeton rreth 1 mijë e 500 tërmete në vit.
Më herët këtë vit, paneli japonez i hetimeve për tërmetet tha se ekziston një probabilitet 60-90% që një “mega-tërmet” të ndodhë në Nankai Trough brenda 30 viteve të ardhshme, me skenarët më të këqij që parashikojnë dëme në triliona dollarë dhe potencialisht qindra mijëra viktima. Tërmetet përgjatë Nankai Trough, një zonë aktiviteti sizmik që shtrihet përgjatë bregut të Paqësorit të Japonisë, kanë qenë tashmë përgjegjëse për mijëra viktima.


