Parlamenti prish qetësinë të hënën me sesionin e ri. Rama mbledh Kryesinë, Basha aleatët dhe grupin

Pas një qetësie prej më shumë se 4 javësh, politika pritet t’i rikthehet zhurmës këtë të hënë. Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka firmosur tashmë urdhrin për të nisur sesionin e ri parlamentar të hënën e parë të shtatorit, siç e kërkon edhe Kushtetuta. Seanca e parë plenare, që është vetëm ceremoniale, pritet të nisë rreth orës 17:00.

Por, në selitë e partive politike kryesore lëvizjet pritet që të nisin që në orët e para të ditës. Socialistët do të nisin punë herët, me një mbledhje Kryesie të parashikuar për në orën 9 të mëngjesit të së hënës. Në fokus janë përgatitjet për garën e ardhshme elektorale.

Në këtë sens, pritet që Kryesia të zyrtarizojë thirrjen e Asamblesë Kombëtare për të premten e 7 shtatorit. Në këtë mbledhje, kryeministri Rama do të vendosë përfundimisht nëse do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, ndonëse burimet nga PS tregojnë se ka pak gjasa që kjo të ndodhë.

Nga ana tjetër, në selinë blu Lulzim Basha do të takojë aleatët e tij dhe do të mbledhë grupin parlamentar të PD-së rreth orës 10. Ai nuk ka pranuar të tregojë cila do të jetë qasja e demokratëve me Parlamentin, institucion me të cilin selia blu ka pasur një marrëdhënie të kushtëzuar gjatë muajve të fundit.

Sinjalin e parë, PD do ta japë mesditën e së hënës, kur do të shihet nëse do të shkojë apo jo në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku miratohet edhe kalenderi i punimeve të Kuvendit. Sipas një draftkalendari që ka dalë në media, mazhoranca parashikon që më 13 shtator të kalojë në seancë dekretin e presidentit Meta, që ktheu për rishqyrtim ligjin që i hap rrugën projektit të ri të Teatrit Kombëtar, duke shembur godinën ekzistuese.

Ndërkohë që mazhoranca e ka të bërë publik që në korrik se do ta rrëzojë dekretin presidencial, opozita ka paralajmëruar se e konsideron këtë kapërcim të një “vije të kuqe”./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi