Pacolli ultimatum Mustafës t’i largojë të punësuarit e Labinot Tahirit? Kjo është e vërteta

Partia Aleanca Kosova e Re është duke u përballur me një krizë të brendshme.

Punësimi i Agim Sinanit dhe Jetmir Tahirit në kabinetin e ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ka ngjallë reagime të shumta, kjo për arsye se po raportohet se i ka ‘rehatuar’ Labinot Tahirit.

Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net nga burimet e saj brenda AKR-së mëson se presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka kërkuar nga ministri Mustafa me i largu urgjent Sinanin dhe Tahirin nga kabineti.

Mirëpo kryetari i degës së AKR-së në Ferizaj, Labinot Tahiri njëherit deputet në Kuvendin e Kosovës, dhe i përfshirë në cështjen e lartë përmendur ka thënë për lajmi.net, se atij nuk ka kush t’i jap ultimatum.

“Jo, mua nuk mundet me më dhënë askush ultimatum, nuk ka njëri në këtë botë. E para, unë punoj me shumë korrektësi edhe drejtësi. E dyta, ministri e cakton kabinetin e tij të cilit i beson, kështu funksionon hierarkia e çdo dikaster”, ka thënë ai.

Tahiri po e arsyeton ministrin Mustafa duhet thënë se ai ka të drejtë të punësoj persona që i beson.

“Ministri Mustafa me ardhjen e tij, kabineti që ka qenë në të kaluarën, shkruan në rregullat e ministrisë, duhet ta lirojnë vendin dhe gradualisht me ardh njerëzit që duhet. E ata persona që janë aty janë nga Ferizaj, po ata persona janë që 7-8 vite në AKR dhe kanë kontribuar dhe ministri i beson atyre që duhet t’i ketë në kabinetin e tij. Nuk është se i kam caktuar unë”, deklaroi ai.

I pyetur se a ka pasur gisht në punësimin e tyre, Tahiri thotë se vetëm i ka propozuar.

“Absolut. Unë nuk kam të drejt të punësoj njerëz, unë mundem me i propozuar se jam kryetar i degës. Agim Sinani është nënkryetar i partisë dega në Ferizaj dhe Jetmir Tahiri, kushëriri im më i largët është qe 8 vite në AKR. Këta i ka përzgjedhë ministri”, potencoi ai.

Tutje deputeti i pavarur, thotë se janë dy të tjerë që janë ekspertë edhe jashtë partisë, pasi thotë se nuk synohet të jenë vetëm njerëzit e partisë.

“Më pas janë edhe dy që i ka propozuar presidenti (Behgjet Pacolli). Do të thotë nuk ka këtu pse veç Labinoti apo filan fisteku ka kërkuar”, është shprehur ndër tjera.

Mirëpo, pse nuk janë parë të pranishëm në mbledhjen e Kryesisë së AKR-së, Tahiri thotë se dega e AKR-së në Ferizaj nuk ka nevojë për zgjedhje të brendshme.

“Se pse nuk kemi marrë pjesë në mbledhje ka një arsye, aty janë duke u mbajtur zgjedhjet e brendshme për degë të Kosovës, në Ferizaj është dega e kompletuar, nuk ka nevoje për zgjedhje të reja”, deklaroi ai.

Ai ka thënë se këto janë kamuflazhe po bëhen nga dy/tre personave që dëshirojnë t’ia humbin fuqinë.

“Nëpër mbledhjet e partisë ku nuk merr pjesë ma qenë Behgjet Pacolli, nuk marr pjesë”, tha ai.

Mirëpo, nëse Pacolli insiston të largohen të punësuarit në kabinetin e ministrit, Mustafa, cfarë do të bëjë Tahiri?

“Ato i vendos ministri, nëse ka besim i mban nëse jo i largon. Sikur Behgjet Pacolli që i ka këshilltarët e vet, secili ministër i mban pranë ata që i beson”, deklaroi krejt në fund kryetari i degës së AKR-së në Ferizaj.

Lajmi.net ka provuar të kontaktoi edhe me presidentin e AKR-së, Behgjet Pacolli, por ai nuk ka qenë i qasshëm./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi