Osmani: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, Trepça e paprekshme!

Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në aktivitetin e shënimit të 31-vjetorit të grevës së Stan Tërgut.

Grevën e minatorëve, zonja Osmani e ka cilësuar rezistencë të dyfishtë.

“Në kontekstin historik, greva e minatorëve të Trepçës mund të trajtohet në dy rrafshe, si rezistencë aktive paqësore për të mbrojtur ekzistencën e popullit shqiptar në periudhën e okupimit klasik nga Serbia dhe, së dyti, si rezistencë ndaj suprimimit arbitrar të autonomisë së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, greva shërbeu për sensibilizim qytetar dhe me angazhimin e tyre vetëmohues, minatorët i lëkundën themelet e Jugosllavisë së atëhershme.

“Marshi i organizuar nga minatorët nga Mitrovica në Prishtinë, ishte dëshmi e qartë se si minatorët arritën ta krijonin solidaritetin dhe aktivizmin qytetar në Kosovë”, ka theksuar Osmani.

Kryetarja e Kuvendit ka thënë se minatorët e Trepçës e donin Republikën, prandaj e ngritën fuqishëm zërin ndaj okupuesit dhe kundër ndryshimeve kushtetuese te asaj kohe.

“Ngjashëm edhe sot, minatorët dëshirojnë mbrojtjen e pavarësisë se Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin e vendit dhe dinjitetin qytetar. Falë kësaj sakrifice dhe vlerave të cilat na udhëhoqën e që përkrah nesh i rreshtuan shtetet demokratike të botës, kjo ëndërr është realizuar dhe pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Trepça është e paprekshme”, ka thënë Osmani.

Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se ky aset strategjik i Kosovës, përballet me sfidën e zhvillimit, ndaj ka premtuar angazhimin institucional për përmirësimin e kushteve të punës për minatorët.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi