Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se pandemia dhe kriza do të ishin pikat e vetme për të cilat do ta mbanim mend vitin 2020, po të mos ishte interesi më i rëndësishëm strategjik i vendit, anëtarësimi në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Osmani, sot në seancën e Komisonit parlamentar për politikë të jashtme prezantoi raportin për realizimin e politikës së jashtme dhe pozitën ndërkombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Duke theksuar se ndodhemi në fund të një viti turbulent dhe të vështirë, Osmani tha se viti ka qenë i mbushur me shumë sfida, me krizë të vazhdueshme, por edhe një vit i mbushur me një nga sukseset më të rëndësishme të vendit, anëtarësimi në NATO.
“Me siguri pandemia dhe kriza do të ishin pikat e vetme për të cilat do ta mbanim mend vitin, po të mos ishte realizimi i ëndrrës së gjeneratave që nga vetë pavarësia, interesi më i rëndësishëm strategjik i vendit dhe sfida për të cilën të gjithë ne kemi punuar, anëtarësimi në NATO”, tha ai.
Osmani duke theksuar se prioritet i parë i misionit të tij si ministër i Punëve të Jashtme kanë qenë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore tha se ka vendosur ambicie serioze për hapjen e mundësive për miqësi të thellë dhe afatgjate të miqësisë me të gjithë fqinjët tanë.
“Shikuar nga këndvështrimi i sotëm dhe sjellja e fqinjit tonë Bullgarisë, kjo ambicie nuk fut optimizëm, por më tepër duket utopike dhe e parealizueshme. Por ju siguroj, nuk është kështu. Nuk është rastësi që vizita ime e parë zyrtare ishte në Sofje, dhe që atëherë komunikimi midis Ministrive të Punëve të Jashtme, në përgjithësi midis dy vendeve po intensifikohet vazhdimisht në më shumë nivele”, tha ministri Osmani.
Nga aspekti i kontekstit më të gjerë ndërkombëtar, siç tha Osmani, partneriteti strategjik me SHBA-të është një nga shtyllat më të rëndësishme të diplomacisë sonë, si pjesë e pandashme e strategjisë së përgjithshme të shtetit.
Sipas tij, baza e këtij partneriteti janë interesat e përbashkëta për një Ballkan të qëndrueshëm, të prosperuar dhe pro-perëndimor, plotësisht i integruar në organizatat multilaterale të botës moderne.
Në raport, Osmani u përqendrua edhe në ndihmën e arritur në vend për përballjen me krizën e shkaktuar nga COVID-19. Ai tha se krahas Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, ndihma praktikisht ka arritur nga të gjitha anët, ku përmenden vendet si Japonia, Kina dhe Turqia.


