Me rastin e Ditës së Pavarësisë, presidentja Vjosa Osmani ka uruar popullin shqiptar duke thënë se, “më 28 nëntor, nderojmë historinë, flamurin dhe identitetin kombëtar, duke riafirmuar përkushtimin tonë për fuqizimin e shteteve tona”.
“28 Nëntori nuk është vetëm simbol i betejave dhe triumfeve tona, por edhe kujtim i sakrificave tona për të qenë të lirë, në paqe dhe krenarë”, shkroi Osmani në rrjetet sociale.
Osmani tha se, “28 Nëntori është simbiozë e tri momenteve historike që e lartësojnë kombin tonë: ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, dalja publike e UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari. Të bashkuar në zemër e shpirt, le ta festojmë këtë ditë me krenari”.