Orë vendimtare për Armando Brojën

Armando Broja mbetet emri më i nxehtë në merkaton e dimrit. Sulmuesi shqiptar qëndron në udhëkryq për të zgjidhur të ardhmen, me Chelsea që është e gatshme për të marrë ofertat për 22-vjeçarin.

Fulham është skuadra më e interesuar për shërbimet e Brojës, por shifrat e ofruara prej klubit londinez nuk kanë bindur ende “blutë”. Marrëveshja mes palëve pritet të konkretizohet në shifrën e 50 milionë funteve, teksa një pistë mbetet edhe Uolves.

“Ujqërit” kanë gati ofertën për huazimin e thjeshtë, por Chelsea synon që në klauzolën e kontratës të përfshihet blerja përfundimtare e kartonit. Arsyeja pse Uolves nguron për Brojën është për shkak se nuk janë të sigurtë nëse sulmuesi kuqezi do të arrijë të shfaqë potencialin e vet.

Pas një periudhe të gjatë jashtë fushave prej 10 muajsh, shkaku i lëndimit në gju, Broja ka shënuar vetëm dy gola në 19 ndeshje këtë sezon. Chelsea do të përpiqet të gjejë zëvendësuesin e Brojës, por mund të zgjedhin të presin deri gjatë verës për të parë opsionet në treg, teksa emra si Victor Osimhen dhe Ivan Toney thuhet se do të jenë në dispozicion.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi