OKB thirrje Mianmarit që të përmirësojë kushtet për rikthimin e refugjatëve

 

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë bërë thirrje për përmirësimin e kushteve për kthimin e sigurtë të qindra mijëra refugjatëve në Arakan që ndodhen në Bangladesh.

Në një deklaratë të përbashkët nga UNHCR dhe UNDP, zyrtarët e OKB-së, kanë theksuar se në rajonin e Arakanit nevojitet qasje e plotë dhe se janë në pritje të përgjigjes për kërkesën e bërë më 14 qershor për personel ndërkombëtar me bazë në Maungdaw.

Po ashtu theksohet se duhet të shënohet përparim i vërtetë emergjent në qasjen aktive veçanërisht në rajonin e Arakanit, sigurimin e lëvizjes së lirë për të gjithë komunitetet dhe për gjetjen e një zgjidhjeje ndaj problemeve që kanë shkaktuar krizën.

Mes qeverisë së Mianmarit dhe OKB-së më parë është nënshkruar një protokoll për rikthimin e refugjatëve muslimanë të Arakanit që ndodhen në Bangladesh, për të cilin pati reagime edhe nga brenda OKB-së edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Raportuesja për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Mianmarin, Yanghee Lee, kishte theksuar se në kuadër të protokollit nuk është e mundur që muslimanët e Arakanit të kthehen në shtëpitë e tyre në mënyrë “vullnetare, të sigurtë dhe të vazhdueshme”.

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Sipas OKB-së, që nga 25 gushti i vitit 2017, mbi 700 mijë refugjatë Rohingya, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë, mbetën të detyruar të largohen nga Arakani në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit nisën persekutimin e komunitetit pakicë musliman. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me imazhet e tyre satelitore kanë provuar se qindra fshatra janë shkatërruar.

Marrëveshja e nënshkruar mes qeverive të Mianmarit dhe Bangladeshit për rikthimin e qytetarëve të Arakanit në shtëpitë e tyre është jofunksionale në zbatim për shkak se të zhvendosurit e kanë të pamundur të dokumentojnë situatën e tyre.

Organizatat ndërkombëtare dhe të OKB-së për të drejtat e njeriut dhunën kundër muslimanëve të Arakanit e konsiderojnë “spastrim etnik” ose “gjenocid”.

Qeveria e Mianmarit e cila kufizon në masë të madhe hyrjen e organizatave dhe mediave ndërkombëtare në rajonin e Arakanit, deri më sot ajo nuk ka zbatuar premtimet që ka dhënë në lidhje me rikthimin e muslimanëve të Arakanit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi