Një PD e djathtë dhe pluraliste, shansi i fundit kundër regjimit

Nga: Vehap Kola

Një ndër mësimet më të mëdha që njerëzimi ka nxjerrë nga holokausti është se, nëse krijohen kushtet shoqërore dhe politike që favorizojnë atë gjenocid të tmerrshëm, të gjithë ne jemi në gjendje të kthehemi në ekzekutues të një plani të atillë shfarosës.

Ndër kushtet shoqërore dhe politike që e lehtësojnë shndërrimin e njerëzve me moral normal në të bindur besnikë, të gatshëm për t’u përfshirë në akte imorale, është ekzistenca e një burimi të monopolizuar të autoritetit politik.

Edi Rama ka bërë pikërisht këtë gjatë 6 viteve të fundit në pushtet – ai ka shuar çdo burim alternativ të pushtetit. Shkrirja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, shndërrimi i Prokurorisë së Përgjithshme në noteri të fushatave të tij të mbrojtjes së bashkëpunëtorëve mafiozë, linçimi i Presidentit dhe eleminimi i Parlamentit janë vetëm elementet politike të strategjisë së tij të instalimit të regjimit. Ai ka shtënë në dorë pushtetin ekonomik, duke e monopolizuar tregun përmes oligarkisë, ashtu siç ka kthyer median në një zëdhënëse të propagandës së tij.

Prova e zjarrit se në Shqipëri është instaluar një regjim me një burim të monopolizuar të autoritetit është bindja e verbër e administratës dhe institucioneve ligjzbatuese ndaj vullnetit të Edi Ramës.

Kjo shprehet në mënyrë formale dhe joformale. VKM-të, që hedhin poshtë ligje të miratuara me shumicë të cilësuar, apo akte nënligjore, që shkelin vendime të Gjykatës Kushtetuese, janë zbatuar me besnikëri të rrallë nga administrata e majtë.

As fjalimet e Edi Ramës nuk mbeten pas për nga fuqia për të indoktrinuar dhe legjitimuar veprimet represive të administratës. Fjalimet e tij mund të krahasohen me ato të Enver Hoxhës për nga pesha që kanë fituar në përcaktimin e axhendës së administratës dhe debatit publik.

Por shqetësimi i çdo kundërshtari të regjimit Rama-Veliaj nuk duhet të ndalet me identifikimin e kërcënimeve prej tij. Kundërshtarëve të regjimit u duhet doemos një sens vetëkritike; ata duhet të sigurohen se modele të tilla politike nuk do të shfaqen kur opozita të vijë në pushtet. Sigurisht, këtu marrim të mirëqenë mundësinë realiste që opozita të vijë në pushtet me zgjedhjet e ardhshme.

Partia Demokratike duhet ta dëshmojë qysh sot në opozitë se ajo është imune ndaj praktikave që çojn në instalimit e një autoriteti monist. Dhe këtu vijmë tek ajo që Zigmunt Bauman e quan mësimin më tmerrues të nxjerrë nga holokausti: jo mundësia që ajo që u ndodhi hebrenjve mund të na ndodhë edhe neve, por ideja që në të njëjtat kushte edhe ne mund të bënim të njëjtën gjë.

Lulzim Basha është përpara mundësisë së artë që të japë prova se nuk do ta lejojë këtë. Për të fituar monopolin mbi autoritetin, Edi Rama në pushtet krijoi një sistem personal të zhveshur nga çdo element doktrinar dhe të dekoruar me marioneta në rolin e politikanëve. Basha duhet të krijojë një sistem kolegjial real, të mbështetur në një filozofi përfaqësimi dhe filozofi politike të djathtë. E thënë shkurt, Basha duhet ta shndërrojë PD-në në një parti të djathtë normale.

Ndonëse personalitetet e ndryshme të Bashës dhe Ramës mund të na nxisin të mendojmë se PD-ja nuk do të jetë një parti servilësh dhe zbatuesish besnikë të dëshirës së kryetarit për të përqendruar pushtetin, përvoja me nazizmin ka treguar se mizoria e një burokracie lidhet fort me marrëdhënien e autoritetit dhe vartësisë. Popullimi i PD-së me persona që i nënshtrohen me bindje autoritetit legjitimues, si garancia se do të fitojnë pjesë në tortën e korrupsionit dhe mbrojtje politike, është një pengesë reale për ardhjen në pushtet të opozitës. Gjithashtu, ai është edhe një kërcënim që edhe nëse Rama largohet, ai do të mund ta ruajë regjimin.

Nga sjellja e derisotme e Partisë Demokratike mund të kuptohet se vitet në opozitë kanë mbetur si një mundësi përgjithësisht e pashfrytëzuar për t’u shndërruar në një alternativë të arsyeshme ndaj regjimit të Rama-Veliajt. Me kryeneçësi, drejtuesit dhe baza e PD-së duket se më shumë presin që publiku të zgjedhë të keqen më të vogël, sesa t’i japin Shqipërisë një shans të vërtetë europianizues.

Por zgjedhja që shqiptarëve kanë bërë deri më sot nuk përputhet me këtë ngulmim opozitar. Shqiptarët ose kanë mbështetur të keqen më të fuqishme, ose kanë zgjedhur të largohen të dëshpëruar për mungesën e një alternative të arsyeshme.

Marrëdhëniet e autoritetit dhe vartësisë, si tipari kryesor që i shndërron burokracitë në makineri të ftohta zullumi, mund të kundërpeshohen përmes një numri mekanizmash.

Mekanizmi i parë është shmangia e emërimeve dhe zgjedhja e drejtuesve të të gjitha niveleve nga baza e anëtarëve të partisë. Zgjedhjet e vërteta mund ta kufizojnë pushtetin e kryetarit, sepse përmbysin linjën e transmetimit të autoritetit nga lart-poshtë në poshtë-lart. Nga ana tjetër, ato e shndërrojnë partinë politike në një organizatë normale, të parrezikshme për shoqërinë.

Ne e kemi dëshmuar shndërrimin e një partie politike në një monstër shoqërore sa herë që një parti është kthyer në një klub të mbyllur. Ndërsa zgjedhjet nga baza e anëtarëve i kanë bërë partitë struktura moralisht më të mbrojtura. Jo vetëm historia e pluralizmit, por edhe historia e diktaturës është provë për këtë.

Pluralizmi politik është i nevojshëm për të shpërndarë autoritetin që legjitimon dhe frymëzon veprimtarinë e një administrate shtetërore. Pluralizmi brendapartiak luan të njëjtin rol brenda strukturës së një partie. Por roli i tij kryesor është që, edhe nëse një parti shndërrohet në një organizatë kriminale, ky të mos e lejojë partinë që të uzurpojë të gjitha burimet e autoritetit.

Mekanizmi i dytë i shërimit të sëmundjes së autoritetit dhe vartësisë është një doktrinë jopopuliste. Një parti politike që vjen në pushtet me një program populist është e paracaktuar të shndërrohet në një uzurpuese autoriteti dhe koleksionuese e të gjitha pushteteve.

Politikat populiste synojnë ta lidhin mirëqenien dhe lumturinë e individëve me shtetin, prandaj në thelb mbeten politika të majta, etatiste. Partia Demokratike duhet të shmangë rënien në batakun populist, por të ndërgjegjësojë opinionin publik se gjithë çfarë ajo mund të bëjë, pa cenuar liritë dhe begatinë e tyre, është krijimi i kushteve për mirëqenie dhe jo ofrimi i drejtpërdrejtë i saj.

Kohët e fundit, PD-ja ka bërë premtime për rritje të pagës minimale si përpjekje për të zbutur varfërinë e shkaktuar nga politikat ekonomike të regjimit Rama-Veliaj në favor të oligarkisë. Përveç se ky është një premtim modest, ai nuk prek rrënjën e problemit: oligarkinë. PD-ja nuk ka nevojë të rrisë pagën minimale, nëse realisht përballet dhe zgjidh problemin e monopolizimit të tregjeve nga oligarkia.

Problemi me populizmat është se ato janë të vështira për t’u mbajtur dhe zakonisht zëvendësohen me populizma më të mëdha – p.sh. retorika nacionaliste, kriminalizimi i sjelljes së një kategorie të popullsisë etj. Hitleri, Enver Hoxha dhe Edi Rama i kanë bërë të gjitha këto. Kjo pasi vetë populizmat janë mjete të koleksionimit të autoriteteve, që në natyrën e tyre u përkasin instituteve të ndryshme të shoqërisë, jo vetëm shtetit, aq më pak qeverisë.

Tani është koha që Partia Demokratike t’u tregojë shqiptarëve se, pas largimit të Ramës, ajo nuk do të shndërrohet në një tjetër monstër. Nëse ajo nuk ia del ta bëjë këtë, vërtet nuk do të ketë monstër tjetër pas tij, sepse Rama do të vazhdojë të sundojë mbi këtë shoqëri me monstrën e vet: Rilindjen. Ndërsa fati i PD-së nuk do të jetë vetëm i keq, por edhe i parëndësishëm për shqiptarët.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi