Shumë analistë besojnë se ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse Rusia do të pushtojë Ukrainën, pasi për javë të tëra ka vendosur mijëra ushtarë në kufi.
Vizita e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Rusi është planifikuar për të martën më 15 shkurt. Ky do të jetë takimi i fundit, i cili pason një sërë takimesh dhe telefonatash mes presidentit Vladimir Putin dhe liderëve të tjerë perëndimorë, të cilat ende deri më tani nuk kanë prodhuar ndonjë marrëveshje apo zhvillim të veçantë.
“Scholz mund të jetë udhëheqësi i fundit perëndimor që do të ketë mundësinë të flasë personalisht me Putinin dhe ta bindë atë për të mos nisur një sulm”, shkruan Politico. Megjithatë, zyrtarët gjermanë po përpiqen të ulin pritshmëritë nga takimi, duke theksuar se objektivi kryesor do të jetë mbajtja hapur e dialogut mes Perëndimit dhe Putinit.
Nga ana tjetër, 16 shkurti, u cilësua nga disa zyrtarë amerikanë dhe evropianë si dita e më e mundshme që Rusia të nisë një pushtim të Ukrainës, edhe pse nuk është ende e qartë se mbi bazën e cilit fakt janë mbështetur.
Që situata është përkeqësuar më tej ditët e fundit, duket mjaft qartë: ambasadat perëndimore në Ukrainë po zbrazen, edhe pse vetëm dy ditë më parë Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme Josep Borrell theksoi se ato do të mbeten aktive, ndërkohë që linjat ajrore po e shmangin hëpësirën ajrore të Ukrainës, si dhe kanë anuluar fluturimet për në Kiev.
Një datë tjetër që duhet mbajtur në vëmendje do të jetë e diela e 20 shkurtit. Kjo është dita kur do të përfundojnë teorikisht stërvitjet ushtarake të ushtrisë ruse dhe bjelloruse në Bjellorusi, të cilat sipas disa analistëve perëndimorë mund të hapin një front verior në rast të një pushtimi të Ukrainës.
Në fund të janarit, një burim i Bloomberg kishte spekuluar se Kina, aleati më i rëndësishëm ndërkombëtar i Rusisë, i kishte kërkuar Putinit të priste përfundimin e Lojërave Olimpike për të pushtuar Ukrainën, pasi do të linte në hije suksesin e tyre. Qeveria kineze e mohoi në mënyrë kategorike një hipotezë të tillë, por ajo vazhdoi të merrej në konsideratë nga disa analistë të tjerë.
Deri në fund të javës, shkruan Associated Press, liderët perëndimorë presin një përgjigje zyrtare nga Rusia, pasi NATO i konsideroi të papranueshme kërkesat e qeverisë ruse. Është e paqartë nëse Putin priste të merrte një përgjigje nga telefonata 60 minutëshe që pati me Biden, por administrata e këtij të fundit sqaroi se biseda telefonike mes të dyve nuk dha ndonjë zhvillim konkret.
“Nuk na dha asnjë arsye për të qenë optimistë”, shtoi këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.